Joan Garcia: Nuk kisha asnjë dyshim kur firmosa për Barcelonën

- Bota Sot

Joan Garcia: Nuk kisha asnjë dyshim kur firmosa për Barcelonën

Ish-portieri i Espanyolit, Joan Garcia, ka folur hapur në një intervistë për “El Mundo Deportivo-n” rreth kalimit të tij te Barcelona, një lëvizje që ka ngjallur shumë reagime te tifozët e ish-skuadrës së tij.

24-vjeçari theksoi se vendimi ishte i qartë për të nga pikëpamja sportive:

“Për të ardhmen time nuk pata asnjë dyshim. E dija që, duke ardhur nga Espanyoli, vendimi mund të shihej si i vështirë, por sportivisht nuk kishte ofertë më të mirë.”

Garcia u shpreh se nuk është shqetësuar për procesin e regjistrimit në La Liga, duke ruajtur qetësinë falë besimit te drejtuesit e Barcelonës. Ai falënderoi tifozët “blaugrana” për mikpritjen dhe premtoi të japë maksimumin në fushë.

Në lidhje me reagimin e tifozëve të Espanyol-it, Garcia tha:

“E kuptoj dhimbjen e tyre. Kam menduar për ta dhe nuk ka qenë e lehtë, por ishte vendimi më i mirë për mua dhe familjen time.”

Portieri pranoi se e kishte të vështirë të shihte familjen të vuante pas kritikave dhe madje edhe pas grafiteve kundër tij në vendlindje, Sallent. Megjithatë, ai nuk u dha shumë rëndësi komenteve negative, duke theksuar se është fokusuar te e ardhmja.

Garcia zbuloi se kishte interes edhe nga klube të tjera, por asnjë nuk ofronte projektin dhe mundësitë që kishte Barcelona: një skuadër e re, me shumë cilësi dhe ambicie për të fituar gjithçka. Ai pranoi se drejtori sportiv, Deco, dhe stafi e bënë të ndihej i dëshiruar, duke bërë një ofertë të fortë edhe financiarisht.

Pavarësisht largimit, Garcia ka ende kontakte me disa ish-shokë të Espanyolit dhe ruan mirënjohje për trajnerin Manolo González, të cilin e konsideron si njeriun që i dha më shumë besim në karrierë.

Kalimi i tij nga Espanyoli te rivali i përjetshëm Barcelona ka qenë i diskutueshëm, por për Joan Garcia kjo është një mundësi unike për të bërë hapin më të madh në karrierën e tij.



Read it all at Bota Sot