Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka zbuluar tashmë mangësinë më të madhe të Viktor Gyokeres, teksa ish-sulmuesi i tij përgatitet të luajë kundër tij për Arsenalin.
Gyokeres kompletoi kalimin te Arsenali muajin e kaluar nga Sporting Lisbona, me “Topçinjtë” që paguan një shumë fillestare prej 54.8 milionë eurosh. Pas përfshirjes së bonuseve, kostoja totale e marrëveshjes do të arrijë në 63.4 milionë euro.
Sulmuesi 27-vjeçar, i cili nuk ka luajtur më parë në Ligën Premier, u transferua te Sporting nga skuadra e Championship, Coventry, gjatë kohës kur Ruben Amorim ishte në krye të klubit portugez.
Në sezonin e tij të parë të plotë në Portugali, 2023/24, ai realizoi 43 gola në të gjitha garat, ndërsa sezonin pasardhës regjistroi një numër të jashtëzakonshëm prej 54 golash.
Sulmuesi i kombëtares së Suedisë do të përballet me Amorimin që në javën e parë të sezonit, kur Arsenali të përballet me Manchester United në “Old Trafford”.
Megjithatë, trajneri kundërshtar e njeh mirë Gyokeresin dhe mënyrën se si mbrojtësit e United mund të përpiqen ta ndalojnë atë.
Në mars të vitit 2024, Amorim dha një vlerësim mjaft të drejtpërdrejtë dhe të ashpër, për aspektet ku suedezi ka ende nevojë të përmirësohet.
“Ka ende shumë gjëra që Gyokeres duhet t’i përmirësojë. Ai luan njësoj qoftë kundër një qendërmbrojtësi të ngadaltë apo të shpejtë”.
“Çdo gjë që bën në kampionatin portugez, e bën edhe kundër Atalantës. Ai duhet të përmirësojë akoma më shumë kuptimin e lojës”.
“Ende i mungon reagimi në aspektin defensiv dhe të gjithë trajnerët e vërejnë këtë”, kishte thënë Amorim.
Tekniku portugez do të ketë mundësinë të dëshmojë vetë, nga afër, këtë të diel, se sa shumë është përmirësuar Gyokeres që nga ato komente.