Një moment tensioni i madh u regjistrua gjatë miqësores Napoli-Olympiacos në Castel di Sangro. Antonio Conte u ankua për ashpërsinë e tepërt të ndërhyrjeve të kundërshtarëve.
Pasi El Kaabi, sulmuesi i klubit grek, goditi fuqishëm në mesfushë Amir Rrahmanin, një ndërhyrje vërtet e fortë dhe e rrezikshme për kapitenin dardan, trajneri i Napolit hyri menjëherë në fushë dhe u përball me ashpërsi me lojtarin kundërshtar.
Mendilibar dhe drejtuesit e Olympiacos ndërhynë për ta qetësuar situatën.
Pamjet e trajnerit kampion të Italisë, gati të kacafytet me këdo që i del përpara, e tregojnë më mirë se gjithçka tjetër irritimin e tij të skajshëm.
Natyrisht, frika e madhe e Conte ishte dëmtimi i lojtarëve në prag të sezonit të ri, ku e presin shumë angazhime, në Itali dhe Europë. Nga kjo miqësore doli i dëmtuar sulmuesi Romelu Lukaku, çka ka ngritur alarmin e madh te Napoli.