Erik ten Hag ka bërë një deklaratë plot humor, por edhe me shumë domethënie, para debutimit të tij në Kupën e Gjermanisë si trajner i Bayer Leverkusen-it. Duke folur për pritshmëritë dhe procesin e ndërtimit të skuadrës, tekniku holandez u shpreh:
“E di si të menaxhoj proceset dhe nuk mund ta detyrosh procesin. Është e pamundur. Askush nuk është si Harry Potter”.
Një fjali që kujton batutën e famshme të José Mourinhos gjatë kohës te Roma (“Njerëzit mendojnë se unë jam Harry Potter”), me të njëjtin mesazh: nuk ka mrekulli në futbollin e nivelit të lartë kur je në mes të një rikonstruksioni.
“Harry di të ndërtojë një skuadër shumë shpejt dhe të ketë sukses menjëherë, por futbolli i madh nuk funksionon kështu,” – shtoi Ten Hag, duke theksuar se qëllimi i tij është të arrijë formën optimale në pjesën vendimtare të sezonit.
“Për mua, fillimi i sezonit është mesi i marsit. Më 1 prill duhet të jesh në një pozicion që të mund të fitosh diçka. Deri atëherë, të gjithë duhet të punojmë shumë për të zhvilluar lojën tonë, për të përmirësuar modelin e lojës dhe për të rritur si skuadrën, ashtu edhe lojtarët individualë,” – theksoi ai.
Nuk është hera e parë që Ten Hag përmend Harry Potter-in. Edhe gjatë periudhës së tij te Manchester United, pas një humbjeje ndaj Liverpool-it në shtator 2024, ai përdori të njëjtën shprehje për të shpjeguar vështirësitë e punës me lojtarë që kishin pak minuta në këmbë. Vetëm dy muaj më vonë, pas katër humbjeve në nëntë ndeshje të Premier League, ai u shkarkua nga drejtimi i “Djajve të Kuq”.