Detet evropiane thyejnë rekorde temperaturash, si paraqiten shifrat?

- Bota Sot

Detet evropiane thyejnë rekorde temperaturash, si paraqiten shifrat?

Në gusht 2024, temperatura e Detit Mesdhetar arriti një rekord prej 28.7°C, një shenjë e qartë e valëve të nxehtësisë detare që kërcënojnë jetën detare dhe përkeqësojnë fenomenet ekstreme të motit në Evropë.

Turistët shpesh drejtohen drejt bregdetit mesdhetar për plazhet e mrekullueshme dhe ujërat e ngrohtë, por këto temperatura të këndshme fshehin një trend afatgjatë ngrohjeje, i cili nxit shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhi të forta.

Sipas të dhënave të Copernicus Climate Change Service, temperaturat mesatare të sipërfaqes së deteve evropiane kanë shënuar rritje që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1979, ndërsa tre vitet e fundit kanë qenë dukshëm më të ngrohta se çdo vit tjetër më parë.

Në vitin 2024, temperatura mesatare vjetore e deteve evropiane arriti 13.73°C, rreth 0.7°C mbi mesataren dhe 0.06°C mbi rekordin e mëparshëm të vitit 2023.

Valët e nxehtësisë detare, të njohura edhe si “zjarre nënujore”, shkaktojnë zbardhjen e koraleve dhe vdekjen masive të specieve detare, si dhe pasoja socio-ekonomike.

Ato ndikojnë në peshkim, akuakulturë dhe turizëm, duke sjellë humbje financiare.

Temperaturat e larta të Detit Mesdhetar lidhen gjithashtu me stuhi më të forta dhe reshje ekstreme.

Sipas Mediterranean Centre for Environmental Studies, temperatura e sipërfaqes së detit luan një rol kyç në formësimin e modeleve të motit, duke përfshirë erërat detare në muajt e verës dhe reshjet e rrëmbyeshme në vjeshtë.

Shkencëtarët theksojnë se ujërat e ngrohtë të Detit Mesdhetar dhe të Detit të Zi gjatë gushtit 2024 mund të kenë rritur avullimin e lagështisë dhe përkeqësuar stuhinë Boris, që shkaktoi përmbytje të mëdha në Evropën Qendrore dhe Lindore në shtator, si dhe në rajonin e Valencias në Spanjë në tetor.



Read it all at Bota Sot