Sot është zhvilluar ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë figura të larta shtetërore dhe ushtarake.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheun ushtarak të SHBA-së në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw, ishin të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për ushtrinë e vendit.
“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me SHBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri theksoi se ushtria e Kosovës do të vazhdojë zhvillimin e saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerin strategjik amerikan, si në trajnime, ashtu edhe në fushën e shkollimit dhe të doktrinës, e cila mbështetet në modelin e ushtrisë amerikane.