Janjiq: Serbia po përjeton “shtypje ushtarake” – po rrezikohet stabiliteti rajonal

- Bota Sot

Janjiq: Serbia po përjeton “shtypje ushtarake” – po rrezikohet stabiliteti rajonal

Serbia po përballet me një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës së sigurisë, të cilin analisti serb Dushan Janjiq e cilëson si “shtypje ushtarake” ndaj qytetarëve. Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se forcat e policisë, prokuroria dhe institucionet e tjera po veprojnë në anën e lojalistëve të presidentit Aleksandar Vuçiq, ku përfshihen edhe grupe paramilitare të lidhura me krimin dhe trafikun e narkotikëve.

Kriza në Serbi mori hov pas tragjedisë së 1 nëntorit 2024 në Novi Sad, ku shembja e çatisë së një stacioni të trenit la 16 të vdekur dhe nxiti një valë protestash të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit dhe paaftësisë së institucioneve. Për më shumë se 10 muaj, qytetarët janë mbledhur në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj pushtetit, ndërsa regjimi i Vuçiqit, po përdor dhunë të hapur për t’i shtypur.

Situata me protestat në Serbi ka eskaluar të martën, kur përkrahësit e Partisë Progresive Serbe, sulmuan protestuesit në Backa Palanka dhe Vrbas.

Përshkallëzimi i dhunës

Janjiq: Kaos në Serbi, bëhet fjalë për shtypje ushtarake ndaj qytetarëve

“Është e vërtetë që dy netët e fundit, destabilizimi i sigurisë në Serbi është përshkallëzuar. Në thelb, tani mund të flasim për njëfarë shtypje ushtarake, jo vetëm shtypje policore ndaj qytetarëve. Ajo që është me të vërtetë e çuditshme është se forcat e Policisë, prokurorët dhe të tjerët janë në anën e të ashtuquajturve lojalistë, njerëz që mbështesin Vuçiqin dhe qeverinë e tij, por ata veprojnë kundër qytetarëve”, thotë ai.

Prania e paramilitarëve të lidhur me krimin

Sipas Janjiq, në mesin e “lojalistëve” të Vuçiqit gjenden edhe struktura të rrezikshme kriminale.

Janjiq: Në mesin e mbështetësve të Vuciqit ka paramilitarë të lidhur me trafikun e narkotikëve

“Një moment interesant sigurie është se midis të ashtuquajturve lojalistë, të cilët e quajnë veten të tillë, ka shumë paramilitarë që janë kriminelë dhe të lidhur me trafikun e narkotikëve. Të gjitha këto, së bashku me mungesën e legalitetit dhe mbështetjes së publikut për presidentin, tregojnë se kemi një krizë të thellë sigurie, ku vetë presidenti, i cili nuk vepron si president, vepron si udhëheqës i një lëvizjeje publikisht jo-ekzistente. Ai është shumë aktiv në njoftimin e shtypjes dhe udhëheqjen e njëfarë lufte, propagande”, thotë ai.

Rreziku për stabilitetin rajonal

Janjiq paralajmëron se gjendja aktuale mund të ketë pasoja përtej kufijve të Serbisë.

Janjiq: Situata aktuale, rrezik serioz për Serbinë por edhe për stabilitetin rajonal

“Tani kemi një situatë që mund të konsiderohet një rrezik shumë serioz për Serbinë, duke përfshirë kalimin e kufirit të torturës policore, përleshje të ndryshme midis qytetarëve dhe Policisë, si dhe konflikte të mundshme ushtarake midis qytetarëve dhe njerëzve që mbështesin presidentin.
Nuk është vetëm çështja e stabilitetit dhe sigurisë së Serbisë. Parandalimi i përshkallëzimit, sipas informacioneve nga burimet ndërkombëtare, është bërë gjithashtu një çështje e stabilitetit dhe sigurisë rajonale”
, thekson ai.

Paradokset politike të Vuçiqit

Ndërkohë që po shtyp dhunshëm protestat, Aleksandër Vuçiq deklaroi të enjten se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, duke pretenduar se “nuk është diktator”.

Janjiq thekson se ky është një shembull tjetër i paradokseve të politikës së tij, duke sjellë si shembull Listën Serbe, e cila nga bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës tani po kthehet në garë.

Janjiq: Vuciq po tregon shizofreninë e politikës së tij

“Kjo [deklarata e Vuçiqit se gjoja nuk është diktator] tregon paradokset apo ‘shizofreninë’ e politikës së Policisë Serbe dhe politikës së Vuçiqit”, nënvizon ai./



Read it all at Bota Sot