Hansi Flick, mes kritikave dhe kërkesës për perfeksion te Barcelona

- Bota Sot

Hansi Flick, mes kritikave dhe kërkesës për perfeksion te Barcelona

Barcelona e nisi sezonin me një fitore të pastër 3-0 ndaj Mallorca-s, por trajneri gjerman, Hansi Flick, nuk u tregua aspak i kënaqur me skuadrën e tij. Pas ndeshjes, ai kritikoi hapur lojtarët për mungesë ambicieje dhe angazhimi, duke thënë se ekipi luajti vetëm “me 50 për qind të forcës”.

“Janë tri pikë të rëndësishme, por nuk më pëlqeu ndeshja. Nuk më pëlqen që lojtarët e mi të relaksohen. Duhet të jemi gjithmonë 100 për qind, duhet të shënojmë më shumë dhe të përmirësohemi”, tha Flick, duke lënë të qartë se nuk pranon ulje të intensitetit, pavarësisht rezultatit apo kushteve të vështira atmosferike.

Gjermani nuk ngurroi të veçonte edhe disa individë. Para ndeshjes, ai foli për Fermín López, duke pranuar se gjatë fazës përgatitore nuk kishte mbetur i kënaqur me të, edhe pse lojtari ka treguar përmirësim në javët e fundit.

Në të njëjtën kohë, Flick shfaqi pakënaqësi edhe ndaj klubit, sidomos për vonesat me regjistrimin e futbollistëve të rinj si Joan García dhe Marcus Rashford. “Kjo situatë nuk më bën të ndihem i lumtur, por kam besim te klubi”, u shpreh ai me një ton të përmbajtur.

Nervozizmi i tij nuk lidhet vetëm me lojtarët apo merkaton. Flick ishte gjithashtu i zhgënjyer nga problemet gjatë turit aziatik, që u shty e anullua disa herë, duke i kushtuar ekipit dy ditë stërvitjeje. Një shqetësim që ai ia shfaqi drejtpërdrejt presidentit Joan Laporta dhe drejtuesve të tjerë.

Megjithatë, në ambientin ‘blaugrana’ vlerësohet fakti që Flick mban gjithmonë një standard të lartë dhe nuk pranon kompromise. Kjo kërkesë maksimale, sipas drejtuesve, është e nevojshme për të përsëritur sukseset e sezonit të kaluar, ku Barcelona fitoi LaLiga-n, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Flick di edhe të lavdërojë kur është e nevojshme, por mesazhi i tij është i qartë: në Barcelonë nuk ka vend për relaksim, vetëm për ambicie dhe konkurrencë.



Read it all at Bota Sot