“Diogo do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së futbollit” ka thënë Joao Felix, i cili nuk e ka fshehur dhimbjen për humbjen e shokut të tij të ngushtë në Kombëtaren e Portugalisë, Diogo Jota.
Sulmuesi i Liverpool kishte humbur jetën më 3 korrik, në moshën njëzet e tetë vjeçare, së bashku me vëllain e tij Andre Silva, pasi makina e tyre kishte dalë nga rruga në veri të Spanjës.
Vetëm njëmbëdhjetë ditë para aksidentit, Jota ishte martuar me Rute Cardoso, nënën e tre fëmijëve të tij.
“Diogo për mua ishte një nga miqtë më të mirë në kombëtare. Ishim gjithmonë pjesë e një grupi të vogël që qëndronte bashkë. E njihja familjen e tij, veçanërisht prindërit ,një familje e jashtëzakonshme. Ai do të mbetet gjithmonë në zemrat tona. Çdo herë që të dalim në fushë, do ta kujtojmë dhe do të luajmë edhe për të”, ka thënë Felix.
Aktualisht, Felix është në Hong Kong me klubin e tij të ri, Al Nassr, ku u bashkua me Cristiano Ronaldo muajin e kaluar pas transferimit nga Chelsea.