Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin mund të takohen brenda dy javëve të ardhshme.
Këtë e deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë një bisede me gazetarët, shkruajnë mediat e huaja.
Merz tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump e bindi Putinin të pranonte një takim me Zelenskyn.
“Gjatë një pushimi në takim, presidenti amerikan foli me presidentin rus në telefon dhe ranë dakord që do të kishte një takim midis presidentit rus dhe presidentit ukrainas brenda dy javëve të ardhshme”, u tha ai gazetarëve.
Ai shtoi se Trump kishte rënë dakord të bënte një ftesë tjetër për një takim trepalësh më pas, në mënyrë që negociatat të “fillonin vërtet”, shtoi Merz.
Megjithatë, sipas Merz, vendi i këtij takimi nuk është përcaktuar ende.
“Nuk e dimë nëse presidenti rus do të ketë guximin të marrë pjesë në një samit të tillë. Prandaj, nevojitet bindje”, tha Merz.
Ai vuri në dukje se Trump ishte i impresionuar që evropianët kishin ardhur me një front të unifikuar dhe diskutimet e tyre me administratën amerikane tani do të përqendroheshin në detaje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.
“Është absolutisht e qartë se e gjithë Evropa duhet të marrë pjesë”, theksoi Merz.