Barcelona aktivizon marrëveshjen me Kongon Demokratike

- Bota Sot

Barcelona aktivizon marrëveshjen me Kongon Demokratike

FC Barcelona ka vënë zyrtarisht në funksion marrëveshjen e arritur më 30 korrik me Qeverinë e Republikës Demokratike të Kongos (RDK), një partneritet që do të zgjasë katër sezone dhe pritet t’i sjellë klubit rreth 40 milionë euro (10 milionë për sezon).

Ky bashkëpunim, i prezantuar të martën në stërvitje me logon “RD Congo – Coeur de Afrique” në pjesën e pasme të fanellave të lojtarëve, është menduar si një ndihmë e rëndësishme për të përmirësuar gjendjen e ndërlikuar të klubit sa i përket Fair Plaç-t financiar.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse këto të ardhura do të ketë ndikimin e menjëhershëm që kërkon kupola drejtuese e Barcelonës për regjistrimin e të gjithë lojtarëve në kampionat.

Marrëveshja përfshin jo vetëm shfaqjen e logos së Kongos në fanellat e stërvitjes deri në sezonin 2028-29, por edhe statusin e “Partnerit Global për fuqizimin në sport dhe kulturë”. Gjithashtu, brenda ambienteve të ‘Spotify Camp Nou’ do të ngrihet një hapësirë e dedikuar si “Shtëpia e RDK-së”, duke forcuar lidhjen kulturore mes dy palëve.

Ky model nuk është i ri për shtetin afrikan, i cili më parë ka lidhur marrëveshje të ngjashme edhe me AS Monaco dhe AC Milan. Për Barcelonën, kjo është një tjetër lëvizje e presidentit Joan Laporta për të siguruar të ardhura të reja në një periudhë ku rritja e buxhetit dhe kufizimet e Fair Play-t financiar po e detyrojnë klubin të kërkojë burime alternative.

Me këtë marrëveshje, Barça synon të fitojë kohë dhe stabilitet ekonomik, ndërsa tifozët shpresojnë që ajo të ndikojë direkt në forcimin e skuadrës në fushë.



Read it all at Bota Sot