Sulmuesi kuqezi do të qëndrojë të paktën 10 ditë jashta fushave shkaku i ndrydhjes së kyçit të këmbës në takimin e fundjavës.
Sulmuesi i Shkëndijes së Tetovës, Fiton Ademi ,ka pësuar një lëndim gjatë ndeshjes së xhiros së dytë të LPFMV, në transfertën kundër Makedonija Gj.P. në Shkup të fituar 3:1 nga kuqezinjtë.
"Ademi u detyrua të linte fushën pas vetëm 27 minutave lojë, pasi pësoi një distorzion të kyçit të këmbës (shkalla e parë). Paraprakisht, në minutën e 9-të ai shënoi golin e parë personal të sezonit, duke kaluar kuqezinjtë në epërsi 1:0 pas asistimit të Krasniqit.
Pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se sulmuesit do t’i duhen rreth 10 ditë pushim, gjë që nënkupton se ai humb ndeshjen e nesërme ndaj Ludogoretsit në “play-off” të Europa League si dhe takimin kampional fundjavën e ardhshme përballë Arsimit.
Nëse rikuperimi shkon sipas pritjeve, ai do të jetë në garë me kohën për t’u rikuperuar në ndeshjen e kthimit me Ludogoretsin në Razgrad, të enjten e ardhshme", njofton klubi.