Raundi preliminator i “Conference League” ka sjellë një nga historitë më kurioze të sezonit për një familje tifozësh të Rayo Vallecano. Álvaro García dhe prindërit e tij, Eufemio Vicente García (Ufe) dhe María Luisa Muñoz (Marisa), vendosën të udhëtonin drejt Ishujve Faroe, të bindur se aty Rayo do të përballej me Kí Klaksvík.
Gjithçka nisi pas shortit të 4 gushtit, kur Rayo mësoi se kundërshtari i saj do të dilte nga përballja mes Neman Grodno (Bjellorusi) dhe Kí Klaksvík (Ishujt Faroe). Meqë bjellorusët ishin të detyruar të luanin në Hungari me dyer të mbyllura, e vetmja mundësi për ta parë ndeshjen ishte në Ishujt Faroe.
Pas fitores 2-0 të Klaksvík në ndeshjen e parë, familja bleu biletat më 7 gusht. Megjithatë, surpriza erdhi kur Neman përmbysi rezultatin dhe u kualifikua me penallti. Pavarësisht zhgënjimit, familja nuk e anuloi udhëtimin dhe më 10 gusht mbërriti në Ishujt Faroe, ku u pritën ngrohtësisht nga vendasit.
Vetë administratori i rrjeteve sociale të klubit dhe një trajner i moshave, Høgni, u bënë mikpritësit e tyre, duke iu organizuar edhe një tur në stadium e dyqane. Në shenjë falënderimi, ata dhuruan një fanellë historike të Rayo të sezonit 1999-2000.
Udhëtimi nuk ishte i lehtë. Fillimisht fluturuan për në Kopenhagë, pastaj në Ishujt Faroe, ndërsa kthimi do të bëhej me ndalesë në Paris. Ata duhej të merrnin me qira edhe një makinë. Shpenzimi total arriti rreth 1.600 euro për person.
Álvaro tregoi në “El Partidazo de COPE”: “Prindërit dhe unë thamë se do të shkonim patjetër në fazën preliminatore. Pas shortit, zgjodhëm Ishujt Faroe sepse ishin favoritë dhe e dinim që kundër bjellorusëve do të luhej me dyer të mbyllura. Në fillim ishte zhgënjim, por tani po e shijojmë shumë. Madje do t’u dhuroj një fanellë të Rayo”.
Edhe babai i tij shtoi për kostot: “Vetëm fluturimet na kanë kushtuar 2.700 euro (900 secili), apartamenti 1.300 euro për 6 ditë dhe makina e marrë me qira 700 euro”. Pra, në total, aventura e tyre kushtoi rreth 4.700 euro.