Interi piketon përforcimin në mesfushë pas largimit të Asllanit

- Bota Sot

Interi piketon përforcimin në mesfushë pas largimit të Asllanit

Në ditët e fundit të merkatos së verës, Interi po përgatitet të bëjë një goditje të rëndësishme për të forcuar repartin e mesfushës.

Objektivi kryesor i zikaltërve është Andy Diouf, mesfushori i talentuar i ekipit francez Lens, i cili po shihet si profili ideal për t’i dhënë më shumë cilësi dhe freski skuadrës së teknikut Cristian Chivu.

Diouf, i lindur në vitin 2003 dhe vetëm 22 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse në Ligue 1 sezonin e kaluar.

Ai njihet për aftësinë e tij në mbajtjen e topit, shpërndarjen e saktë të pasimeve dhe energjinë e madhe në mesfushë, cilësi që e bëjnë atë një lojtar shumë të përshtatshëm për stilin e lojës së Interit.

Sipas mediave franceze dhe italiane, kartoni i lojtarit vlerësohet rreth 25 milionë euro, një shumë që Lens kërkon për ta lënë të lirë. Përveç Interit, edhe Napoli po e ndjek me interes situatën e lojtarit, megjithatë duket se zikaltërit janë në pozita më të favorshme për të mbyllur marrëveshjen.

Për Chivun, afrimi i Diouf do të përbënte një forcim të rëndësishëm për mesfushën, duke i ofruar alternativë shtesë në një sezon ku Interi synon jo vetëm titullin në Serie A, por edhe një rrugëtim sa më të gjatë në Champions League.



Read it all at Bota Sot