Pas fitores në javën e parë të Ligue 1 kundër Nantes (1-0), Paris Saint-Germain është gati për debutimin e tij sezonal në shtëpi.
Nesër në mbrëmje, në orën 20:45, skuadra e Luis Enrique-s do të presë Angers në “Parc des Princes”, në një ndeshje që klubi e ka shndërruar në një festë të vërtetë me tifozët.
Pas një viti historik, të kurorëzuar me titullin e 13-të kampion të Francës dhe mbi të gjitha me triumfin e parë në Champions League, PSG dëshiron të ndajë sukseset me publikun parizien.
Përpara spektatorëve, lojtarët do të prezantojnë të gjithë trofetë e fituar sezonin e kaluar: Trophée des Champions, Ligue 1, Kupën e Francës dhe Champions League, si dhe Superkupën e fituar më 13 gusht kundër Tottenhamit, pas penalltive.
Në këtë mbrëmje speciale pritet të jetë i pranishëm edhe Gianluigi Donnarumma.
Portieri italian, i cili mbetet mes lojtarëve të mundshëm për t’u transferuar, ishte një nga protagonistët absolutë të fushatës së shkëlqyer evropiane që çoi PSG-në në majën e futbollit kontinental.
Stadiumi pritet të jetë i mbushur plot, ndërsa atmosfera në Paris do të ketë shijen e një feste të madhe, me synimin që ky sezon të sjellë trofe edhe më të mëdhenj për vitrinën tashmë mbresëlënëse të klubit.