Shitja e Douglas Luiz, e bërë zyrtare mbrëmjen e së enjtes, nuk ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme strategjinë e Juventusit në këtë merkato.
Drejtori sportiv Comolli vazhdon të mbajë të qarta prioritetet: rikthimi i Kolo Muani, largimi i Nico Gonzalez dhe afrimi i fantazistit kosovar Edon Zhegrova.
Sipas burimeve të klubit, Zhegrova ka dhënë tashmë po-në e tij për transferimin te bardhezinjtë.
Tani mungon vetëm marrëveshja përfundimtare me Lille, që tashmë e di se lojtari do të largohet. Operacioni pritet të mbyllet për një shifër mes 18 dhe 20 milionë eurove.
Megjithatë, një pengesë mbetet shitja e Nico Gonzalez, për të cilin aktualisht ka vetëm një ofertë konkrete: ajo e Atletico Madrid, që nuk ka shkuar përtej 20 milionë eurove. Një shifër e konsideruar e ulët nga drejtuesit bardhezi, edhe pse – sipas Tuttosport – po shqyrtohet mundësia e një zbritjeje të lehtë në çmim, për të përshpejtuar largimin e argjentinasit dhe për të finalizuar sa më shpejt transferimin e Zhegrovës.
Në repartin ofensiv, qëllimi kryesor mbetet Kolo Muani, objektiv i hershëm i Juves, për të cilin po vijojnë bisedimet me Paris Saint-Germain. Ndërkohë, për Arthur, gjithçka është gati për rikthimin në Gremio, me huazim deri më 30 qershor 2026.
Sa i përket mesfushës, drejtuesit bardhezi nuk e shohin më si emergjencë zëvendësimin e Douglas Luiz. Plani është i qartë: mbyllja e Zhegrovës dhe Kolo Muanit ka përparësi, ndërsa për një përforcim në mesfushë do të pritet momenti i duhur dhe kushtet e favorshme në merkato. O’Riley mbetet në listë, por Brighton pranon ta shesë vetëm në formë përfundimtare.