Struga Trim Lum e ka mposhtur Rabotniçkin me rezultat 2:0, në ndeshjen e javës së tretë të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut në futboll.
“Është ky epilogu i rezultatit përfundimtarë të ndeshjes së javës së tretë në elitën e futbollit vendor, aty ku regjistrojmë po aq fitore, duke kryesuar të vetëm për momentin renditjen tabelare me 9 pikë maksimale.
Që të dy golat erdhën në fundin e dy pjesëve. Ishte Compaore që shënoi golin e parë nga penaltia në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ndërkohë në minutën e katërt shtesë (94’), rezervisti Maleski vendosi fatin e këtij takimi, në të cilin skuadra jonë edhe njëherë tjetër shfaqi një lojë dominuese, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit.
Kundër një Rabotniçki të pozicionuar mirë, skuadra e Bledi Shkëmbit luajti me pragmatizëm dhe një sulm mjaft të shkëlqyer, duke krijuar raste të shumta para portës kundërshtare.
Marjan Radeski në minutën e 20-të goditi me kokë, mirëpo drejt në duart e portierit Vasilev. Në minutën e 34-të Ilievski nga krahu i djathtë mjaft mirë gjeti brenda zonës kundërshtare Compaoren, mirëpo ky i fundit reagoi shumë dobët, duke goditur vetëm jashtë kuadrantit nga një pozitë mjaft e volitshme.
5 minutat e fundit të pjesës së parë ishin shumë të zjarrta, dhe që në fund rezultuan edhe me gol në rrjetën kundërshtare. Ishte Radeski fillimisht ai i cili tentoi edhe njëherë tjetër për të shënuar me kokë, mirëpo sërish topi përfundoi në duart e portierit Vasilev, që më pas në aksionin e radhës, i njëjti të mos e lexoj dot harkimin e Besmir Bojkut, pa vënë në rrezik portën e mysafirëve.
Aksioni i fundit në zonën kundërshtare, kur në lojë ishin më shumë futbollistë, rezultoi me një ndërhyrje ndaj Bassirou Compaore, i cili më pas morri edhe përgjegjësinë e ekzekutimit, duke realizuar golin e epërsisë vetëm në minutën e parë shtesë të 45 minutëshit të parë.
Pjesa e dytë nisi me tre ndryshime në formacionin e mysafirëve dhe tentativën e Compaore, i cili ndodhej në një pozitë mjaft të volitshme për të shënuar, mirëpo i njëjti ishte në pozicion jashtë loje.
Memetriza Hamza në minutën e 56-të me të majtën e tij lëshoi një goditje të fortë në drejtim të portës kundërshtare direkt nga gjuajtja e lirë, mirëpo në vendin e duhur ishte edhe njëherë tjetër portieri kundërshtarë, Vasilev.
E majta e Hamzës u tregua e rrezikshme për mysafirët edhe në aksionin e radhës, që solli një tollovi në zonën e rreptësisë, mirëpo pa finalizimin e duhur.
Në minutën e 65-të edhe pse doli të jetë shumë jopreciz, Compaore megjithatë morri duartrokitjet e publikut, pas tentativës së tij për të shënuar një gol atraktiv me roveshatë.
Në minutën e 67-të, një gabim i portierit Angelletti bëri që mysafirët të shënojnë në rrjetën tonë, mirëpo ky gol u anulua pasi futbollisti kundërshtarë kishte prekur topin me dorë.
Nuk vonoi shumë dhe dy minuta më vonë në anën tjetër Radeski u shfaq i rrezikshëm para portës kundërshtare, mirëpo në të dyja rastet nuk arriti të gjejë hapësirë për të goditur në drejtim të portës kundërshtare.
Në minutën e 72-të edhe njëherë tjetër i gjithë publiku ishte në këmbë pas goditjes së Bojan Ilievskit, që përfundoi për disa centimetra skaj portës.
Compaore edhe pse arriti që të përfitojë hapësirën e duhur në minutën e 76-të, goditja e tij doli të jetë shumë jo precize. Në aksionin e radhës, Shabani dhe Vosha kombinuan mjaft mirë mes vete, me këtë të fundit që u gjind në një pozitë mjaft të mirë për të shënuar, por goditja e tij e plogzhtë për tokë, nuk solli fare probleme për Vasilev.
Ky i fundit reagoi mjaft mirë në minutën e 90+1, duke ndalur tentativën e rezervistit Djordje Ivkoviç, që shumë lehtë mund të ndodhte të shënoj gol në ndeshjen e tij debutuese me fanellën e skuadrës tonë.
Mirëpo atë që nuk e bëri Ivkoviç, e bëri Hristijan Maleski në minutën e 94-të, kur mjaft mirë u shërbye nga kapiteni Shabani dhe nga afërsia shënoi për 2:0, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.
Ishte kjo fitorja e tretë për skuadrën tonë nga po aq ndeshje këtë edicion, duke bërë që edhe njëherë tjetër tifozët tanë të largohen me buzëqeshje nga stadiumi", - shkruan në faqen e FC Struga TL.