Në një intervistë rrallë për mediat ruse, nëna e Yevgeny Prigozhin ka zbuluar se themeluesi i grupit famëkeq Wagner ishte i vetëdijshëm se nuk do të shpëtonte gjallë pas rebelimit të dështuar ndaj komandës ushtarake ruse në verën e vitit 2023.
“Kur e pashë për herë të fundit, dukej i dënuar( i pashpresë)”, tha Violetta Prigozhina për gazetën ruse Fontanka, duke kujtuar takimin e fundit me të birin një javë përpara se të vdiste në rrëzimin e avionit të tij privat. E pyetur nëse e kishte parashikuar vdekjen, ajo u përgjigj: “Sigurisht.”
Prigozhin, i cili drejtonte Wagner, vdiq dy muaj pas përpjekjes për grusht shteti, kur forcat e tij morën kontrollin e qytetit jugor Rostov-mbi-Don dhe marshuan drejt Moskës. Rebelimi u ndal papritur, rreth 193 kilometra larg kryeqytetit, pas bisedave me zyrtarë të lartë dhe ndërmjetësimit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, sipas The Guardian.
“Nuk kishte për qëllim të rrëzonte Putinin,” deklaroi nëna e tij. “Thjesht donte të arrinte deri te udhëheqësia ushtarake. Ai më tha se nuk mund t’i qëllonte ushtarët e rinj gjatë marshimit.”
Inteligjenca perëndimore beson se Prigozhin u vra përmes një shpërthimi në avion, me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin, si hakmarrje për rebelimin.
Pas vdekjes së tij, autoritetet ruse sekuestruan menjëherë perandorinë e tij të gjerë të biznesit, e cila përfshinte operacione mercenare në Afrikë, biznese teknologjike, miniera dhe një rrjet të gjerë catering-u që i solli nofkën “kuzhinieri i Putinit”. Grupi Wagner u riemërua “Korpusi i Afrikës” dhe tani vepron brenda strukturave shtetërore ruse.
I biri i tij, Pavel Prigozhin, 27 vjeç, një ish-luftëtar i Wagner në Siri, është lënë kryesisht mënjanë nga lufta për pushtet që pasoi vdekjen e të atit.
Në shtator 2024, Violetta Prigozhina fitoi një çështje në një gjykatë të BE-së, e cila urdhëroi heqjen e saj nga lista e sanksioneve dhe kërkoi që Këshilli i BE-së të mbulojë shpenzimet e saj ligjore. Ajo dhe nipi i saj ishin sanksionuar si pjesë e një fushate më të gjerë ndaj familjes Prigozhin.
Megjithatë, ajo shprehu pakënaqësinë se së fundmi iu refuzua një vizë për të udhëtuar në Hamburg, Gjermani, për arsye mjekësore.
“Në vend të kësaj, po përgatit shumë ekspozita tani,” tha ajo. Në galerinë e saj në Shën Petersburg, një nga veprat kryesore që ekspozohen është një portret i të birit në Ukrainë.