Premtojnë për qytetarët, por disa kuvendarë punojnë për vete: Kujdes në zgjedhje!”

- Gazeta e Prizrenit

Premtojnë për qytetarët, por disa kuvendarë punojnë për vete: Kujdes në zgjedhje!”

Ndërsa po afrojnë zgjedhjet lokale, partitë politike janë përqendruar në përpilimin e listave të kandidatëve, përmes të cilëve synojnë të sigurojnë votat e qytetarëve. Por çfarë na ka mësuar e kaluara?

Jo rrallë, disa prej atyre që kanë marrë votën e qytetarëve me premtime të mëdha, kanë përfunduar duke i shërbyer interesave të tyre personale, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Në vend se të përfaqësojnë interesat publike në Kuvendet Komunale, ata kanë ndjekur axhenda të ngushta duke u shpërblyer me punësime dhe pozita për familjarët e tyre, shpesh në këmbim të votës në mbështetje të pushtetit, edhe pse vetë kanë qenë në opozitë.

 

Qytetarët tashmë e njohin mirë këtë “lojë me shumë fytyra” dhe është koha të tregojnë kujdes se kujt ia besojnë votën. Gjatë fushatës, këta kandidatë do të trokasin në dyer me buzëqeshje dhe përulje, por menjëherë pas zgjedhjeve shumë prej tyre harrojnë çdo premtim.

Një përfaqësues aktual i PDK-së ka pohuar në një ndejë se, megjithëse është pjesë e pushtetit, ka arritur më shumë përmes një kolegu nga një subjekt tjetër opozitar.

Ndërkohë, një tjetër kishte deklaruar se kryetari Totaj, sapo të vinte në pushtet, do të largonte drejtorët servilë që kishin punuar kundër tij. Por në praktikë ndodhi e kundërta: ata u shpërblyen, ndërsa njerëzit e ndershëm që ndihmuan në ngritjen e Totajt – u lanë në hije.

Mosvlerësim të meritokracisë po ashtu ka pasur edhe në kohën e Haskukës. Ndërkaq edhe tash te shumë kandidatë meritor ka pakënaqësi për numrin në listat garuese.

Kjo është arsyeja pse kërkohet vëmendje maksimale nga qytetarët. Vota është mjeti më i fuqishëm për të ndëshkuar hipokrizinë dhe për të parandaluar që interesi personal të mbizotërojë mbi të mirën e përbashkët. /Gazeta e Prizrenit



Read it all at Gazeta e Prizrenit