Aventura e Gianluigi Donnarumma te PSG ka mbërritur në fund. Madje, ka ardhur edhe përshëndetja e fundit e portierit italian për tifozët parizienë. Të premten mbrëma, pas fitores minimale kundër Angers, tifozët e PSG-së nderuan në “Parc des Princes” protagonistët e një sezoni triumfal.
Në fushë, i veshur me rroba civile, u shfaq edhe Gigio Donnarumma, i cili përshëndeti mbështetësit para lamtumirës.
Në një moment, shokët e tij të skuadrës e lanë vetëm përballë tribunës së tifozëve ultras dhe aty shpërthyen duartrokitjet e brohoritjet, që bënë të ‘dridhej’ stadiumi. I emocionuar, portieri i kombëtares italiane falënderoi publikun me gjeste të mëdha.
Pas mbrëmjes së djeshme, mbërriti edhe postimi i tij në Instagram. I thjeshtë dhe i shkurtër, me vetëm dy fjalë: “Merci Paris” (faleminderit Paris)!
Tani, për Donnarumma nis një kapitull i ri. Manchester City është favorit për ta marrë, por gjithçka varet nga largimi i portierit brazilian Ederson. Negociatat e këtij të fundit me Galatasaray janë të avancuara. Turqit kanë ofruar 10 milionë euro dhe anglezët duken pranë pranimit, për t’i hapur rrugë transferimit të Donnarumma në “Etihad”.