Me operacionin për transferimin e Victor Boniface që është komplikuar, Milani po mendon të rishikojë strategjinë e merkatos për repartin ofensiv. Massimiliano Allegri ka aktualisht vetëm Gimenez si qendërsulmues të mirëfilltë dhe drejtuesit kuqezinj janë të detyruar të sjellin një tjetër “bomber” me përvojë për të përforcuar skuadrën.
Nëse Boniface nuk mbërrin, kandidati kryesor mund të bëhet Artem Dovbyk, i cili pritet të largohet nga Roma.
Një tjetër emër i madh në listë është Dusan Vlahovic, por kërkesat e larta të sulmuesit serb për pagën paraqesin një pengesë serioze.
Megjithatë, me afatin e merkatos që po i afrohet fundit, mund të krijohen kushtet e duhura për një tentativë nga drejtori sportiv Igli Tare.
Përveç profileve të njohura, Milani po vlerëson edhe alternativa më të reja dhe më pak të afirmuara.
Në shënjestër është Conrad Harder i Sporting Lisbonës, për të cilin kërkohen rreth 20 milionë euro dhe që ndiqet edhe nga Rennes. Po ashtu, pëlqehen Breel Embolo i Monacos (28 vjeç) dhe Tolu Arokodare i Genk, i ndjekur edhe nga Napoli.
Plani i klubit është i qartë: një sulmues me peshë do të afrohet patjetër. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të vijë edhe një tjetër element i ri për të plotësuar repartin ofensiv, sidomos nëse Samuel Chukwueze do të largohet drejt Fulham, që po insiston fort për nigerianin.
Milani është i vendosur të mos mbetet bosh në fazën sulmuese dhe pritet të bëjë një goditje të madhe para se të mbyllet merkatoja.