Presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi pas refuzimit të djeshëm të thirrjes së tij drejtuar studentëve në bllokadë për të debatuar, se do të luftojë kundër të gjithë atyre që duan “ta shkatërrojnë Serbinë.”
"Për sa kohë që jam gjallë do të luftoj kundër të gjithë atyre që duan ta shkatërrojnë atë", shkroi Vuçiq në Instagram, së bashku me një fotografi me dorën e zgjatur me grusht, duke reaguar kështu ndaj përgjigjes së studentëve që i thanë të shpallë zgjedhjet e reja në Serbi, raporton kp.
Duke iu përgjigjur refuzimit të studentëve, kreu i Parlamentit serb, Ana Brnabiq, kreu i Partisë Progresive Serbe, Milosh Vuçeviq dhe kryeministri Gjuro Macut i dolën në ndihmë Vuçiq, duke akuzuar studentët se nuk kanë agjendë, por vetëm dhunë, pa përmendur këtu brutalitetin e ushtruara nga regjimi tash e sa muajt në shumicën e rrugëve të qyteteve të Serbisë.
Studentët e disa fakulteteve në bllokadë iu përgjigjën ftesës së Vuçiq për debat publik, por me kusht që të debatojnë vetëm për fushatën parazgjedhore.
Kujtojmë, regjimi në Beograd vazhdon tash e sa muaj brutalitetin ndaj studentëve dhe qytetarëve protestues duke i rrahur dhe arrestuar pas protestave që shpërthyen në gjithë Serbinë pas shembjes së tendës hekurudhore në Novi Sad më 1 nëntor 2024, në të cilën vdiqën 16 persona.