Sulmet e ndërsjella me dronë midis Ukrainës dhe Rusisë kanë vazhduar edhe gjatë natës së kaluar, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike në të dy vendet.
Ushtria ukrainase ka njoftuar se forcat ruse kanë lëshuar afro 50 dronë mbi territorin ukrainas, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se mbrojtja ajrore e ka rrëzuar shtatë dronë ukrainas.
Një nga incidentet më të ndjeshme është regjistruar pranë centralit bërthamor Kursk, ku një dron ukrainas është rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse rreth orës 00:26 sipas kohës së Moskës. Sipas menaxhmentit të centralit, mjeti ajror pa pilot i rrëzuar shpërtheu gjatë rënies, duke dëmtuar një transformator dhe shkaktuar zjarr.
“Pranë termocentralit bërthamor Kursk, më 24 gusht në orën 00:26, sistemi rus i mbrojtjes ajrore rrëzoi një mjet ajror luftarak pa pilot (UAV) të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Gjatë rënies, droni shpërtheu dhe dëmtoi një transformator”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar në kanalin Telegram të centralit, i cituar nga agjencia RIA Novosti.
Autoritetet bënë të ditur se zjarri është shuar me sukses dhe se nuk ka pasur persona të lënduar. Sipas të njëjtit burim, njësia e tretë e energjisë në central është duke funksionuar normalisht, njësia e katërt po i nënshtrohet mirëmbajtjes së planifikuar, ndërsa njësitë e para dhe të dyta janë në gjendje pasive.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga pala ukrainase lidhur me këtë incident.