Ruben Amorim ka shpjeguar arsyen pse Kobbie Mainoo ende nuk ka marrë asnjë minutë loje në Ligën Premier këtë sezon.
Mesfushori anglez ka qenë një zëvendësues i papërdorur në të dy ndeshjet hapëse të Manchester United ndaj Arsenalit dhe Fulhamit, gjë që ka zemëruar shumë tifozë të “Djajve të Kuq”.
Amorim i shfrytëzoi të gjitha pesë zëvendësimet në barazimin 1-1 ndaj Fulhamit në “Craven Cottage”, por vendosi të mos aktivizojë Mainoon. Në minutat e fundit, trajneri zgjodhi të fusë në lojë dy mbrojtës, Harry Maguire dhe Ayden Heaven.
Kur Benjamin Sesko hyri në vend të Casemiros në pjesën e dytë, Mason Mount u tërhoq në mesfushë, ndërsa Matheus Cunha u pozicionua si numër 10.
Pak më vonë, në lojë hyri edhe mesfushori Manuel Ugarte, i cili u bashkua në qendër me Bruno Fernandes, ndërsa Mainoo u anashkalua sërish.
Ndërsa sezonin e kaluar nën drejtimin e Amorim, Mainoo ishte titullar në 12 ndeshje të Premier League që nga nëntori, kur portugezi mori drejtimin e skuadrës, ai shpeshherë mbeti jashtë formacionit në Ligën e Evropës, dhe luajti vetëm një minutë në finalen e humbur ndaj Tottenhamit në Bilbao.
“Ai tani po lufton për një vend me Brunon. Kur kalova në formacion me dy mesfushorë, lashë Mason Mount sepse donim të shënonim gol, dhe kur bëra zëvendësimin ndjeva që skuadra kishte nevojë për një mesfushor defensiv pranë Brunos”.
“Kështu që, ai duhet të luftojë për një vend në formacion me Brunon, ashtu siç duhet të ndodhë te Manchester United”, ka thënë Amorim.