Matheus Cunha tregon detajet se çfarë i tha Ronaldinho pasi nënshkroi për Man Utd

- Bota Sot

Matheus Cunha tregon detajet se çfarë i tha Ronaldinho pasi nënshkroi për Man Utd

Matheus Cunha ka zbuluar bisedën që pati me Ronaldinhon pas transferimit të tij te Manchester United. 

Manchester United zyrtarizoi ardhjen e Cunhas në fillim të qershorit, pasi aktivizoi klauzolën e lirimit prej 62.5 milionë eurosh në kontratën e tij me Wolves. 

Sulmuesi 26-vjeçar, i cili realizoi 17 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar me Wolves, i ka dhënë menjëherë një shtysë të re repartit ofensiv të “Djajve të Kuq”. 

Ai la një përshtypje të shkëlqyer në ndeshjen hapëse të Ligës Premier ndaj Arsenalit, duke treguar aftësitë e tij në driblim dhe mbajtje topi para tifozëve të “Old Trafford”. 

Cunha së fundmi foli në një intervistë për Sky Sports ku ndau detaje nga transferimi i tij dhe një moment të veçantë me idhullin e fëmijërisë, Ronaldinhon. 

“Ai më tha: ‘Wow. Është një nga klubet më të mëdha në botë. E meriton këtë’”. 

“Pastaj foli për historinë që ka pasur me United dhe tha se do të kishte qenë fantastike të luante aty”.

“Ai kishte dëshirë të luante këtu. Tha se do ta kishte shijuar vërtet këtë eksperiencë”, u shpreh Cunha. 

Kujtojmë se në verën e vitit 2003, Ronaldinho, atëherë pjesë e Paris Saint-Germain, ishte shumë pranë një kalimi te Manchester United për një shumë prej rreth 19 milionë eurosh. 

Megjithatë, transferimi nuk u finalizua kurrë, dhe ai përfundoi te Barcelona, ku shkroi historinë.



Read it all at Bota Sot