Florian Wirtz ka zbuluar procesin e vështirë të mendimit pas transferimit të tij rekord prej 116 milionë eurosh tek Liverpool, duke pranuar se kishte nevojë të reflektonte thellë para se të refuzonte Bayern Munichun për të pranuar sfidën në Ligën Premier.
Ylli gjerman beson se dalja nga zona e tij e rehatisë te Bayer Leverkusen do ta ndihmojë atë të arrijë majat më të larta të futbollit botëror.
Liverpool siguroi shërbimet e Wirtz në një marrëveshje fillestare prej 100 milionë eurosh, që mund të rritet në 116 milionë me bonuset, duke e bërë atë një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit britanik.
Bayerni ishte i sigurt për transferimin e reprezentuesit gjerman, por mbeti i habitur kur Wirtz zgjodhi “Anfield”.
“Ashtu si pesë vjet më parë, kur u largova nga Kolni për në Leverkusen në moshën 16-vjeçare, kërkoja vendin ku mund të zhvilloja më së miri aftësitë e mia dhe ku mund të bëhesha lojtari më i suksesshëm”.
“Prandaj zgjodha Liverpoolin dhe nuk e kam patur asnjëherë pendim. Kam bërë një analizë shumë intensive të të dy klubeve, dhe në fund, nuk ishte një vendim i lehtë”.
“Por e morra atë me 100 për qind bindje dhe jam i lumtur për këtë. Ishte një hap më i vështirë të largohesha nga gjithë ky ambient (Gjermania) dhe të shkoja në një vend tjetër me të gjitha ndryshimet”.
“Dhe në një ligë të re me një stil loje të ndryshëm. Definitivisht do të thoja se është një sfidë më e madhe, një sfidë që e zgjodha me vetëdije për ta përballuar dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë”, ka thënë Wirtz.