Spekulimet rreth të ardhmes së Rodrygo Goes te Real Madrid kanë marrë hov gjatë ditëve të fundit, pasi sulmuesi 24-vjeçar brazilian mbeti jashtë formacionit titullar në ndeshjen hapëse të La Ligas kundër Osasunës.
Megjithatë, trajneri i ri i madrilenëve, Xabi Alonso, vendosi t’i jepte një shans në përballjen e së dielës kundër Real Oviedos, duke e aktivizuar që nga minuta e parë në krahun e majtë — pozicioni i preferuar i tij, për të cilin kishte diskutuar më herët me stafin teknik.
Rodrygo zhvilloi 63 minuta lojë në fitoren 3-0 të Real Madridit, ku protagonistë kryesorë ishin Kylian Mbappé me dy gola dhe Vinicius Jr. me një tjetër.
Braziliani pati disa tentime drejt portës dhe momente të mira, por nuk arriti të lërë ndikim të madh në ndeshje. Pas zëvendësimit, zhgënjimi i tij u reflektua qartë kur hodhi bluzën e stërvitjes në tokë, gjest që u interpretua si shenjë frustrimi dhe që ndezi debat rreth statusit të tij në skuadër.
Pas ndeshjes, Alonso u përpoq të zbusë tensionin duke vlerësuar angazhimin e lojtarit, por statistikat mbeten treguese: nën drejtimin e Alonsos, Rodrygo ka shënuar vetëm dy gola në nëntë paraqitje.
Konkurrenca e ashpër në repartin ofensiv me emra si Mbappé, Vinicius Jr., Brahim Diaz, talenti i ri Franco Mastantuono dhe i promovuari Gonzalo Garcia – pa harruar rikthimin e pritshëm të Jude Bellingham dhe Endrick pas lëndimeve – e ka bërë situatën e tij edhe më të vështirë.
Sipas burimeve të afërta me lojtarin, pavarësisht se publikut i përcillet mesazhi se ai dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, Rodrygo u ka kërkuar agjentëve të tij, Pini Zahavi dhe Kia Joorabchian, që të shqyrtojnë mundësinë e një transferimi gjatë kësaj vere.
Kjo tregon se një largim nga “Santiago Bernabeu” mbetet skenar i hapur.