Tentuan ta mbytnin me thikë – përleshja në Prizren lë të plagosur rëndë, dy të rinj arrestohen

- Gazeta e Prizrenit

Tentuan ta mbytnin me thikë – përleshja në Prizren lë të plagosur rëndë, dy të rinj arrestohen

Një përleshje e dhunshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Prizren, ku një i ri ka mbetur i plagosur rëndë me thikë dhe disa persona të tjerë kanë përfunduar në Polici.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 02:30, në rrugën Tranziti i Ri, pranë një kompleksi afaristo–banesor.

Fillimisht, sipas hetimeve, një mosmarrëveshje për “pazarin ditor” ka bërë që Ardit Krasniqi, rreth 26-vjeçar të sulmojë fizikisht një të mitur, V.H., rreth 16-vjeçar, i cili punonte tek ai. Pas këtij incidenti, në konflikt është përfshirë edhe vëllai i viktimës, po ashtu i mitur, V.H., rreth 17-vjeçar.

Ky i fundit, gjatë përleshjes me Ardit Krasniqin dhe Ardi Zyrnaxhiun, rreth 25-vjeçar, ka përdorur një thikë, me të cilën e ka goditur rëndë Zyrnaxhiun, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore.

I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë, por me lëndime serioze.

Policia ka shoqëruar të gjithë personat e përfshirë, si dhe disa dëshmitarë okularë. Në prani të avokatëve mbrojtës dhe punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale, janë marrë deklaratat e të miturve, ndërsa materialet e siguruara nga kamerat e sigurisë janë dorëzuar në Prokurori.

Me vendim të Prokurorit kujdestar: i mituri V.H është ndaluar për 24 orë për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa Ardit Krasniqi, rreth 26-vjeçar është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar saktë rolin e secilit person dhe për të parë nëse ka edhe të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit