Mediumi zviceran për shqiptarin e Kosovës: Nëse do të bëhet një Rakitiç apo një Kuzmanoviq... Fiasko

- Bota Sot

Mediumi zviceran për shqiptarin e Kosovës: Nëse do të bëhet një Rakitiç apo një Kuzmanoviq... Fiasko

Leon Avdullahu vendosi mbrëmë përfundimisht për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare duke hequr kështu dorë nga Kombëtarja e Zvicrës.

E “Helvetikët” e kanë përjetuar rëndë këtë vendim të futbollistit të lindur e rritur në Zvicër.

Mediumi i njohur zviceran “Blick” ia ka kushtuar një tjetër shkrim yllit të ri kosovar, të cilin Zvicra priste ta kishte në gjirin e saj për ndeshjet e shtatorit dhe atë pikërisht kundër Kosovës.

Zviceranët kanë mbetur të pezmatuar që futbollisti i Hoffenheimit ua ktheu shpinën.

Redaktori i sportit në “Blick”, Emanuel Gisi ka thënë se tash duhet të bëhen urgjentisht pyetje të vështira pasi “talenti i madh Leon Avdullahu po ia kthen shpinën ekipit kombëtar zviceran dhe se sa do ta dëmtojë këtë Kombëtare largimi i tij në aspektin sportiv”.
Sipas tij, “refuzimi i Avdullahut është një shuplakë e rëndë në fytyrë për Zvicrën.

Kjo është një humbje e hidhur për Federatën Zvicerane. Një lojtar i promovuar në nivelin më të lartë të të rinjve të ekipit kombëtar që nga viti 2019 zgjedh t’i bashkohet një kombi qartësisht më të dobët, edhe pse Zvicra e donte. Diçka këtu nuk po shkon”.

21 vjeçari ishte rritur në Solothurn dhe kishte luajtur për ekipet e të rinjve të Zvicrës, ndërsa së fundmi u transferua nga Baseli në Hoffenheim për 8 milionë franga zvicerane.

Gisi shton se vetëm largimet e Rakitiç dhe Petrit ishin më të dhimbshme, ndërsa e krahason me atë të Kuzmanovic.

“Nëse Avdullahu do të bëhet një Rakitiç apo një Kuzmanoviq mbetet për t’u parë. Një gjë është tashmë e qartë: Federata Zvicerane duhet të mësojë nga kjo fiasko. Presidenti i ri i Federatës, Peter Knäbel, provoi gjithçka në muajin e tij të parë në detyrë dhe madje u pa së fundmi në tribuna së bashku me babanë e Avdullahut në Leverkusen, ku Avdullahu junior e bëri debutimin e tij në Bundesliga për Hoffenheim. Një përpjekje e lavdërueshme. Por në fund, mbeti një përpjekje për ta kompensuar disi një deficit të gjatë. Një që rezultoi i pasuksesshëm”, shtoi ai.

Sipas redaktorit të sportit në “Blick”, ky është një rezultat i menaxhimit të dobët të talenteve.

“Rezultatet e fundit janë shkatërruese. Me Avdullahun dhe Eman Kospon e Fiorentinës (18 vjeç, do të luajë për Bosnjën në të ardhmen), Zvicra i ka humbur dy lojtarë të talentuar brenda një jave. A është kjo vërtet vetëm rastësi dhe kohë e keqe? Duhet të jepet përgjigje”, përfundoi ai.



Read it all at Bota Sot