Michael Olise nuk ka kaluar aspak pa u vënë re te Bayern Munih.
Në ndeshjet e para me fanellën e “Die Roten” ka shënuar tashmë 2 gola në Bundesliga, ndërsa në Botërorin për Klube regjistroi 3 gola dhe 2 asiste. Me pak fjalë, fillimi i këtij edicioni të ri duket se po konfirmon pritshmëritë për të.
Disa klube europiane i kanë hedhur sytë mbi sulmuesin anësor francez, por ai ka kontratë deri në vitin 2029, konsiderohet i paprekshëm nga bavarezët.
Në konferencën e sotme për shtyp, drejtori sportiv Christoph Freund komentoi zërat e merkatos mbi Olise: “Zakonisht nuk flasim për detajet kontraktuale. Objektivi ynë është që Michael të qëndrojë te Bayerni për shumë kohë. Është një talent i jashtëzakonshëm”.
Më pas shtoi për mundësinë e afrimeve të tjera deri në fund të merkatos verore: “Nuk përjashtoj asgjë, qarkullojnë shumë emra. Dritarja e transferimeve është e hapur deri të hënën, prandaj diçka mund të ndodhë”.
E ardhmja e Kim Min-jae është një tjetër temë e nxehtë në kampin bavarez, për shkak të konkurrencës së fortë me Tah dhe Upamecano në mbrojtje. Megjithatë, Freund u ndal vetëm te gjendja e tij fizike: “Jemi të lumtur që Min-jae është sërish në formë të plotë, e dimë sa i rëndësishëm është për ne”.
Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany ishte më i qartë: “E kemi përjetuar të njëjtën gjë sezonin e kaluar me Leon Goretzka, i cili reagoi siç duhet, u rikthye në skuadër dhe u bë shumë i rëndësishëm për ne.
Askush nuk mund t’ia lejojë vetes një hap më pak. Kim është stërvitur shumë mirë dhe bëri paraqitje mjaft të mira kur hyri në fushë, të premten”.