Xhaka i pati tri oferta serioze!

- Bota Sot

Xhaka i pati tri oferta serioze!

Emri i Granit Xhakës ishte mjaft i përfolur në afatin kalimtar të verës.

Bayer Leverkusenit i ishin larguar yjet e ekipit dhe të njëjtën gjë e kishte bërë edhe trajneri Xabi Alonso, prandaj edhe rrugën e tyre dëshironte ta ndiqte edhe ylli kosovar.

Milani ishte emri më i përfolur gjatë verës, por menaxheri i futbollistit, Jose Noguera ka zbuluar se “Rossoneri” nuk ishin klubi i vetëm i interesuar për 32-vjeçarin.

Ndonëse nuk i përmendi me emra, ai konfirmoi se klienti i tij i pati tri oferta nga klube të mëdha para se t’i bashkohej klubit të rikthyer në Premierligë për 15 milionë euro.

“Për Xhakën kishte shumë interes dhe ai i refuzoi tri oferta të mëdha për t’iu bashkuar Sunderlandin në këtë verë.

Xhaka zakonisht luan në klube ambicioze në Ligën e Kampionëve, që synojnë tituj lige, finale kupash etj. Megjithatë, ai donte të provonte diçka të re sepse dëshiron të bëhet trajner në të ardhmen.

Kështu që ai e sheh këtë si një përvojë të re për të mësuar. Biseda e parë ishte në telefon me pronarin, Kyril Louis-Dreyfus, i cili është gjithashtu nga Zvicra dhe shumë i ri. Xhaka u lidh shumë mirë me Louis-Dreyfus dhe e pëlqeu vizionin që iu prezantua”, u shpreh menaxheri i Xhakës në një intervistë për “Flashscore”.

Xhaka nënshkroi kontratë trevjeçare me Sunderlandin duke i dhënë fund eksperiencës së jashtëzakonshme tek Bayer Leverkuseni.

Ai në fakt u rikthye në Premierligë ku kishte luajtur po ashtu me sukses për Arsenalin, ndërsa në të kaluarën ka luajtur edhe në Basel e në Borussia Moncghengladbach. 



Read it all at Bota Sot