Rheinmetall i Gjermanisë dëshiron të prodhojë barut dhe predha artilerie në Bullgari

- Bota Sot

Rheinmetall i Gjermanisë dëshiron të prodhojë barut dhe predha artilerie në Bullgari

Kompania gjermane, Rheinmetall planifikon të prodhojë barut dhe predha artilerie 155-milimetërshe në Bullgari, bazuar në dy marrëveshje për investim të përbashkët me vlerë mbi një miliard euro, ka njoftuar sot ky gjigant evropian i mbrojtjes.

Bojko Borisov, kreu i partisë qeverisëse bullgare të qendrës së djathtë GERB, njoftoi në Facebook se ishte takuar me drejtorin ekzekutiv të Rheinmetallit, Armin Papperger, në selinë e kompanisë në Dyseldorf për të diskutuar rreth dy fabrikave të përbashkëta.

Borisov kujtoi se për herë të parë kishte filluar të fliste me Papperger në mars për një mundësi bashkëprodhimi, dhe se tani Bullgaria dhe Rheinmetall po përgatisin planet për prodhimin e barutit dhe mbushjeve, si dhe të predhave 155-milimetërshe, në përputhje me standardet e NATO-s. Pritet që marrëveshjet të finalizohen brenda tre javëve të ardhshme.

Rheinmetall është një nga “ndihmësit” më të mëdhenj të Bashkimit Evropian në forcimin e kapaciteteve të tij mbrojtëse pas pushtimit rus të Ukrainës.

Kompania, në bashkëpunim me aktorë të tjerë, vepron në të gjithë kontinentin me synimin për të ndërtuar kapacitete prodhuese.

Ajo gjithashtu po investon në disa vende evropiane për të krijuar kapacitete të reja dhe po mban aleanca me kompani të tjera të mbrojtjes, përfshirë Leonardon italian dhe Lockheed Martin-in amerikan, për të përmbushur kërkesën në tregjet e saj kryesore evropiane, Gjermani dhe Ukrainë.

“Jemi të entuziazmuar për besimin që Bullgaria na ka treguar dhe do të jemi një partner i besueshëm dhe efikas për ta. Detaje të mëtejshme do t’i ofrojmë pas nënshkrimit të marrëveshjes”, thuhet në deklaratën e Rheinmetallit.



Read it all at Bota Sot