Armando Broja ka nisur me këmbën e mbarë aventurën e tij te Burnley. Sulmuesi i kombëtares shqiptare debutoi si titullar në ndeshjen e Kupës së Ligës së Anglisë (EFL Cup) kundër Derby County, duke treguar menjëherë vlerat e tij.
Vetëm pas katër minutash lojë, “bomberi” kuqezi u kthye protagonist, duke dhuruar një asist perfekt për Ramsey, i cili e shndërroi në gol dhe kaloi Burnley-n në avantazh. Broja qëndroi në fushë deri në minutën e 63-të, duke treguar një formë të mirë fizike dhe duke marrë vlerësime pozitive nga mediat, të cilat e notuan me 6.5 për paraqitjen e tij.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Scott Parker siguroi kualifikimin pas fitores 2-1, ndërsa tekniku anglez nuk i fshehu fjalët e mira për sulmuesin shqiptar.
“Ishte një mundësi e mirë për shumë lojtarë që të merrnin më shumë minuta.
Gjykimi për Armandon nuk bazohet vetëm në këtë ndeshje. Ka vetëm dy javë e gjysmë me ne dhe i nevojiten ende minuta në këmbë. Për të ishte një stërvitje e mirë dhe do të arrijmë atje ku duam,” u shpreh Parker pas ndeshjes.
Broja pritet të ketë më shumë hapësira në javët në vijim, teksa Burnley synon të forcojë repartin ofensiv në kampionat dhe në garat e tjera.