Ylli i Manchester City-t, Erling Haaland, ka ndryshuar emrin që shfaqet në pjesën e pasme të fanellës së tij të Norvegjisë përpara ndeshjes së ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës.
Sipas shitësit me pakicë Unisportstore, në fanellën e yllit të Manchester Cityt me Norvegjinë tani do të shkruhet Braut Haaland dhe jo vetëm Haaland. Tifozët e Norvegjisë do ta shohin këtë ndryshim të ri, i cili përfshin emrin e mesëm të ish-lojtarit të Borussia Dortmund, në ndeshjet e shtatorit.
Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, tha se nuk ishte i informuar për këtë ndryshim të emrit të fanellës.
Ai i tha Dagbladet: “Ky është emri i tij (Braut), nuk është aq e vështirë. Nuk dija asgjë për të deri tani”.
25-vjeçari, emri i të cilit në Instagram shkruhet Erling Braut Haaland, do të debutojë me këtë ndryshim të ri kur Norvegjia të përballet me Finlandën në një miqësore më 5 shtator, përpara se të përballet me Moldavinë pesë ditë më vonë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e ekipit për Kupën e Botës 2026.
Ky ndryshim do të thotë që tifozët e Haaland do të duhet të paguajnë më shumë para për të blerë këtë fanellë të përditësuar.