Shkëndija e Tetovës të enjten në Razgrad të Bullgarisë luan takimin e kthimit të play - off-it të Europa Leagues me Ludogoretsin, ndërsa për pritjet nga ky duel para mediave folën trajneri Beqiri dhe sulmuesi Latifi.
Kuqezinjtë sonte me seancën e fundit stërvitore mbyllin përgatitjet për ndeshjen e kthimit të play off-it të UEFA Europa League, përballë Ludogoretsit të Bullgarisë e cila luhet nesër në mbrëmje në “Huvepharma Arena Stadium” në Razgrad të Bullgarisë me fillim në orën 19:30 sipas kohës tonë lokale.
Jeton Beqiri, tha: “Gjatë një ndeshje ka një histori të gjatë, nuk mund të jesh gjatë gjithë kohës ofensiv apo defenziv.
Duhet të menaxhohen minutat e ndeshjes. Unë mendoj se në momente të veçanta edhe do jemi ofensiv, pasi ne nuk kemi rezultat të lartë. Kështu që ne do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë, të japim maksimumin, të jemi shumë të disiplinuar në aspektin defanziv.
Do të mundohemi të shfrytëzojmë nga ato rastet që do të na paraqiten për shkak se dihet kemi të bëjmë me një kundërshtar cilësor, një kundërshtar i cili në çdo moment mund të dënojë në rast se nuk je i fokusuar 100%”.
Liridon Latifi, tha: “Ashtu siç e tha edhe trajneri më herët, favorit do të jetë Ludogoretsi. Por, ne do të bëjmë maksimumin tonë që të arrijmë rezultatin që ne e dëshirojmë. Ne kemi punuar gjatë kësaj jave, për një rezultat pozitiv që shpresojmë ta arrijmë”.
Jeton Beqiri, shprehet “Siç e dini ne kemi siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, por jemi duke dhënë maksimumin që me situatën që na është dhënë dhe me ndeshjen e parë që e fituam në Shkup, nëse jemi në nivelin më të mirë dhe shfrytëzojmë mundësitë, pse jo mos të kualifikohemi edhe në Liga Europëa.
Gjithsesi duke e respektuar në maksimum kundërshtarin, duke e dhënë maksimumin dhe duke mos krijuar asnjë lloj euforie për shkak se ne jemi duke shijuar momente të mira sa i përket futbollit në Maqedoni dhe konkretisht të ekipit tonë.
Duhet të tentojmë gjithçka për gjithçka, pasi ne në këtë moment nuk kemi për të humbur po thuajse asgjë për shkak se diçka kemi arritur. Por, duhet të jemi të urritur, duhet të besojmë dhe duke dhënë maksimumin shpresoj që të arrijmë kualifimin që do të ishte diçka e jashtëzakonshme për ne”.
Liridon Latifi, theksoi: “Mendoj se ndërprerjet mund të jetë një nga pikat e tona të forta, pasi ne i kemi ushtruar ato gjatë gjithë kohës në seancat stërvitore. E dimë saktësisht se çfarë do të bëjmë dhe sa i përket goditjes time nga gjuajtja e lirë në ndeshjen e kaluar, atë e kam ushtruar që nga fëmijëria dhe normal se nuk është asgjë e rastit”.
Jeton Beqiri: “Patjetër që ekipi i Ludogoretsit është favorit, por futbolli është i bukur, pasi jo gjithmonë në fushë fiton favoriti. Ne shohim çdo natë, ekipe që kualifikohen dhe fitojnë kundërshtarë me buxhete shumë më të mëdha dhe me futbollist shumë më cilësor.
Jetojmë në një epok që distancat janë afruar, nuk ka dallime shuëm të mëdhaja ndërmjet skuadrave, pavarësisht se kemi të bëjmë me një kundërshtarë që është i organizuar jashtëzakonisht mirë, me një përvojë të madhe në Kupat Europës dhe për ne është kënaqësi të përballemi me kundërshtarë të këtij niveli”.
Liridon Latifi: “Presioni nuk është në anën tonë, më shumë presion do të ketë ekipi kundërshtarë. Ne e kemi arritur një fitore 2:1 në Shkup, shpresojmë të dalim me fitore edhe nesër”.