UEFA bën ndryshimin e madh për finalen e Champions League

- Bota Sot

UEFA bën ndryshimin e madh për finalen e Champions League

Në orët para hedhjes së shortit të “fazës së ligës” së Champions League, që do të zhvillohet sot, nga ora 18:00, UEFA ka njoftuar një vendim historik. Duke nisur nga ky edicion (finalja e Budapestit, më 30 maj), finalja e Champions League do të nisë jo më në orën 21:00 , sikurse ka ndodhur prej vitit 2010, por në orën 18:00.

Sipas UEFA-s, ky ndryshim synon “të përmirësojë përvojën e përgjithshme të ditës së ndeshjes për tifozët, skuadrat dhe qytetet pritëse, duke optimizuar logjistikën dhe operacionet e ditës, si dhe ofruar përfitime të ndryshme të prekshme.

Qëllimi ynë është ta bëjmë ditën e finales një përvojë të këndshme për të gjithë ata që duan të përjetojnë emocionet, duke krijuar atmosferë mikpritëse që lehtëson pjesëmarrjen e familjeve dhe fëmijëve në ndeshjen më të madhe dhe më të rëndësishme të futbollit të klubeve në gjithë sezonin”.

Kështu, udhëtimi i tifozëve drejt qyteteve të klubeve finaliste do të jetë shumë më i lehtë, ndërsa në qytetet pritëse do të rritet ndikimi ekonomik pozitiv i eventit, duke iu mundësuar tifozëve të vazhdojnë festimet pas ndeshjes.

Synohet gjithashtu të rritet audienca televizive në gjithë botën, me Azinë si kontinenti që përfiton më shumë, duke shmangur nisjen e ndeshjes në orët e para të mëngjesit.

Aleksander Ceferin, president i UEFA-s, theksoi: “Edhe pse nisja në ora 21:00 është e përshtatshme për ndeshjet gjatë javës, starti më herët të shtunën e 30 majit, për finalen e Champions-it, do të thotë që ndeshja do të përfundojë më herët, pavarësisht nga shtesat apo penalltitë. Kjo u jep tifozëve mundësinë të shijojnë pjesën tjetër të mbrëmjes me miqtë dhe familjen, duke reflektuar mbi ndeshjen më të madhe të sezonit”.

Ronan Evain, drejtues ekzekutiv i “Football Supporters Europe”, përgëzoi vendimin: “Ky është një hap shumë pozitiv për tifozët që marrin pjesë në ndeshje, ne e mbështesim plotësisht. Gjatë dy viteve të fundit, ‘Football Supporters Europe’ ka punuar ngushtë me UEFA-n për ta përmirësuar përvojën e tifozëve në finalet e klubeve.

Ky ndryshim tregon edhe më shumë njohjen e nevojave të tifozëve. Nisja më herët e finales së Champions-it e bën të mundshëm udhëtimin brenda një dite, ul stresin e udhëtimit dhe lejon tifozët të shijojnë eventin pa u shqetësuar për logjistikën e natës. Është një përmirësim praktik që e vë prioritetin te tifozët dhe përdor përparimet e mëparshme për të përmirësuar atmosferën mikpritëse, aksesin dhe shërbimet në finalet e UEFA-s”.



Read it all at Bota Sot