Pas humbjes skandaloze në Carabao Cup kundër ekipit të kategorisë së katërt, Grimsby Town, situata te Manchester United duket më e vështirë se kurrë, duke vendosur në rrezik postin e trajnerit portugez Ruben Amorim.
Pamjet që tregojnë Amorim-in duke lëvizur si i çmendur magnetet në tabelën taktike, ndërsa skuadra e tij pëson humbje të turpshme, janë bërë simbol i një nga momenteve më të ulëta të klubit në vitet e fundit. Përtej ironisë, fakti që një nga klubet më të pasura në botë eliminohet nga një skuadër e ligës së katërt është tronditës.
Në konferencën pas ndeshjes, Amorim u shpreh qartë: “Sot lojtarët e mi shprehën hapur atë që duan. Mendoj se është e lehtë ta kuptosh.
Tani të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme dhe më pas do të ndalojmë për ndeshjet e Kombëtareve, për të analizuar gjithçka. Është detyra ime të kuptoj çfarë ndodhi; problemi është më i madh se rezultati vetë, dhe ndonjëherë është shumë.”
Me ambientin brenda dhomës së zhveshjes kundër Amorim-it dhe rezultatet negative, largimi i tij duket i pashmangshëm.
Sipas medieve britanike, kandidati kryesor për të marrë drejtimin është Zinedine Zidane, i njohur për aftësinë e menaxhimit të ekipeve të mëdha. Analistët theksojnë se, kur shpenzimet janë të mëdha dhe rezultatet mungojnë, klubet zakonisht zgjedhin profile si ai. Dhe së paku, Zidane nuk përdor magnetet…
Në këtë mënyrë, Manchester United duket në kërkim të një “rituali shpëtimi” për të rikthyer stabilitetin dhe respektin e humbur në futbollin anglez.