Shpresa nuk thonë kot se vdes e fundit. Edhe Dinamo shqiptare do të luftojë deri në fund për të arritur fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, ndonëse humbja me shifrat 3-0 në Poloni ndaj Jagiellonias duket pengesë e pakapërcyeshme.
Të mbiquajturës “nëndetësja” do t’i duhet një mrekulli ndaj një rivali që vjet përparoi shumë në kupat europiane, ndërsa padyshim që ndikon mungesa e dy sulmuesve kryesorë, Zabërgjës dhe Mandelës, që janë larguar.
Çfarë mendon trajneri Ilir Daja, që ka provuar fazën e grupeve me Skënderbeun në Ligën e Europës, dhe me Ballkanin në Ligën e Konferencës?
“Përballë kemi një ekip shumë të fortë, kjo u pa edhe në ndeshjen e parë. edhe ne kemi mungesat tona, qoftë me lojtarët që janë larguar dhe ende nuk janë zëvendësuar. Lojtarëve të rinj iu duhet koha e vet që të ingranohen me pjesën tjetër të grupit.
Do bëjmë më të mirën e mundshme për të bërë një ndeshje që të paktën të prezantojmë sa më mirë veten tonë. Kurrë mos thuaj kurrë në futboll”
Daja falenderon Teutën dhe Federatën që pranuan shtyrjen e ndeshjes së Superligës fundjavën e kaluar, ndërsa vlerëson arritjet e dinamovitëve pas një mungese kaq të gjatë në kontinent.
“Dinamo, ka 15 vite që nuk është në kompeticionet europiane dhe që vitin e parë pas një dekade e gjysmë mungesë të shkosh në play off të Conference League është një arritje e madhe. Besoj kemi bërë maksimumin, nëse do kishim gjithë kontigjentin ndoshta do kishim bërë edhe dicka më të bukur”/.