Kristjan Asllani e ka parë nga TV ndeshjen që skuadra e tij e re, Torino, luajti këtë fundjavë ndaj skuadrës së tij të vjetër, Interit.
Por që nga kjo javë, ai do të ketë rol si protagonist në fushën e lojës me ekipin torinez, pasi projektohet që të jetë menjëherë titullar në rreshtimin e skuadrës.
Puna që e pret është e madhe, pasi Torino u duk në gjendje të mjerueshme në humbjen 5-0 që pësoi përballë zikaltërve, duke dhënë rrallëherë shenja jete e ideje loje. Por trajneri Marko Baroni ka bërë të qartë se gjërat do të ndryshojnë nga kjo javë dhe ndryshimi i parë është pikërisht aktivizimi i Asllanit.
Sipas mediave italiane, Baroni i ka bërë një vend në ekip lojtarit në ndeshjen e të dielës ndaj Fiorentinës, si për ironi të fatit një prej skuadrave të tjera që e ndiqte me shumë interes futbollistin dhe e kishte kërkuar në radhët e saj.
Kësisoj, Asllani do të ketë mundësinë të tregojë se sa vlen, për më tepër përballë publikut vendas në një sfidë që do të jetë padyshim shumë interesante.