Një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit klimatik të Tokës, rrjedha oqeanike Atlantike e njohur si Amoc (Atlantic Meridional Overturning Circulation), mund të shembet – dhe rreziku i ndodhjes së kësaj ngjarjeje katastrofike është shumë më i madh se sa besohej më parë.
Sipas një studimi të ri shkencor të botuar në revistën Environmental Research Letters, tashmë nuk mund të konsiderohet një skenar me probabilitet të ulët.
Analiza e re, që shtrihet përtej vitit 2100 dhe deri në vitet 2300–2500, tregon se pikë-kthesa që e bën shembjen të pashmangshme mund të arrihet brenda 10 deri në 20 viteve të ardhshme – edhe pse shembja e plotë mund të ndodhë dekada më vonë.
Çfarë është Amoc dhe pse është kaq e rëndësishme?
Amoc është sistemi që sjell ujë të ngrohtë nga tropikët drejt Evropës dhe Arktikut, ku uji ftohet, bëhet më i dendur dhe fundoset, duke krijuar një qarkullim të thellë që ndihmon në stabilizimin e klimës globale.
Ky mekanizëm mban klimën e Evropës perëndimore të butë dhe të qëndrueshme. Por me ngrohjen globale dhe shkrirjen e akullnajave, veçanërisht në Groenlandë, uji i ëmbël po hollohet në sipërfaqe, duke ndaluar fundosjen e ujërave të kripura dhe të ftohta – dhe kështu, po ngadalëson sistemin.
Skenarët e rinj janë shqetësues:
Nëse emisionet e karbonit vazhdojnë të rriten, 70% e modeleve tregojnë shembje të Amoc.
Në skenarin me emisione të mesme, kjo ndodh në 37% të modeleve.
Edhe në skenarin optimist, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, 25% e tyre tregojnë shembje.
Profesor Stefan Rahmstorf nga Instituti Potsdam për Kërkime mbi Ndikimin e Klimës tha: “Këto rezultate janë tronditëse. Më parë mendoja se kishte më pak se 10% mundësi për shembje. Tani, edhe me skenarin më të mirë, duket se rreziku është rreth 25%.”
Çfarë ndodh nëse Amoc shembet?
Një shembje do të sillte pasoja të rënda globale:
Evropa Perëndimore do përjetonte dimra ekstremisht të ftohtë dhe thatësira verore.
Shirat tropikalë do zhvendoseshin, duke kërcënuar miliona fermerë në vendet në zhvillim.
Niveli i detit do të rritej me 50 cm shtesë në brigjet e SHBA-së dhe Evropës.
Profesor Sybren Drijfhout nga Instituti Meteorologjik Holandez theksoi: “Edhe në skenarët e emisioneve të ulëta ose të mesme, Amoc ngadalësohet shumë deri në vitin 2100 – dhe më pas mund të ndalet krejtësisht.”
Po – por koha është shumë e kufizuar. Autorët e studimit thonë se kjo është një alarm i fundit për të ulur urgjentisht emetimet e karbonit dhe për të frenuar ngrohjen globale.
Edhe pse disa shkencëtarë thonë se janë ende të paqarta kohët ekzakte për kolapsin, një gjë është e qartë: oqeani po ndryshon, dhe rreziku nuk është më “teorik”.
“E ardhmja e qarkullimit Atlantik është ende në duart tona,” – përfundon studimi.