Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, theksoi se ekipi kishte pësuar një rënie drastike pas një starti të mirë të ndeshjes duke gabuar shumë gjëra ndaj bluve.
“Ishte një nisje e mirë, pastaj patëm një rënie drastike. Por humbja e dueleve, topave të parë e të dytë, gjithashtu edhe shkuarja në presing me vonesë, na hapi probleme të mëdha dhe Dinamo na krijoi probleme në gjysmëhapësira dhe në thellësi.
Mund të them që goli i dytë ishte një episod që mund të evitohej, janë gjëra që ndodhin. Por ajo ishte që e mbylli ndeshjen sipas meje.
Superioriteti numerik krijohej me daljen e Vilës në krah, e lexuam, por ishte çështje vonese, mosleximi në kohë nga ana e jonë si ekip. Dhe dihet që në momentin që ne bëjmë presing lart në momentin ku një lojtar bën presing me vonesë, ai shkatërrohet e hedh poshtë punën e gjithë ekipit. Por kemi këtë pauzë, mirë që ndodhin tani këto gabime, kemi kohë të rikuperojmë. Por edhe të ulemi me këmbë në tokë se ajo fitorja me Egnatian na çoi shumë.
Euforia në Shkodër? E kemi pak të theksuar, çfarë të bëjmë!
Ne e kishim përgatitur ndeshjen që sapo të fitonim topin, të luanim me sulmuesit të shkonim sa më shpejt për të zënë kundërshtarin. Koha e presingut është gabimi ynë kryesor se aty bazojmë lojën dhe aty ishte e meta e kësaj ndeshje. Kur je në humbje duhet të ndryshosh sistem e provosh. Është sistem që e kemi provuar edhe në stërvitje dhe dihet që kur je në humbje do provosh në fund të ndeshjes me top të gjatë se nuk ke çfarë të humbësh më.
Unë e theksova edhe më parë, që në pjesën e dytë hymë me një marsh tjetër, aty mund të kthehej ndeshja. Fati nuk ishte me ne me shtyllën, Dinamo u tregua më cinike në kundërsulm dhe na zuri në kundërsulm në një moment të dobët dhe aty mendoj se mbaroi ndeshja.
Nuk ka humbje, ka vetëm mësime”, tha Borshi për RTSH pas ndeshjes në të cilën ai ishte në pankinë për shkak të pezullimit të Edi Martinit..