Zelensky thotë se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e politikanit ukrainas

- Bota Sot

Zelensky thotë se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e politikanit ukrainas

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një person është arrestuar për vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit, Andriy Parubiy.

Ai u qëllua me armë zjarri në një rrugë të qytetit perëndimor të Lvivit.

“Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, sapo raportuan për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Andriy Parubiyt”, shkroi Zelensky në X, mbrëmjen e 31 gushtit.

“Veprimet e nevojshme hetimore janë duke vazhduar. Kam urdhëruar që informacioni i disponueshëm, t’i prezantohet publikut. I falënderoj oficerët tanë të zbatimit të ligjit për punën e tyre të shpejtë dhe të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të bëhen të qarta”, shtoi ai, pa dhënë detaje të tjera.

Sipas një korrespondenti të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i cili ishte në vendngjarje, Parubiy u qëllua për vdekje rreth mesditës më 30 gusht, në rrugën Jefremova, pranë banesës së tij.

Autoritetet e zbatimit të ligjit konfirmuan se 54-vjeçari vdiq menjëherë nga plagët e marra.

Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës tha se ka nisur hetimet për vrasje dhe se sulmuesi është në kërkim për “vrasje me paramendim”.

Disa bashkëpunëtorë të Parubiyt e fajësuan Rusinë për vrasjen.

Ligjvënësi Mykola Knyazhytskiy tha se beson se vrasja e Parubiyt është “hakmarrje e Rusisë për qëndrimet e tij”.

Ai tha se Parubiy është bërë objektiv për shkak të mbështetjes së tij ndaj sovranitetit, sigurisë dhe unitetit të Ukrainës, përballë pushtimit rus.

Parubiy kishte rol të rëndësishëm në protestat e Maidanit gjatë viteve 2013-2014, të njohura në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit.

Këto protesta u zhvilluan për shkak të vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, për ta larguar Ukrainën nga Bashkimi Evropian dhe për t’u afruar me Rusinë - një vendim ky që çoi në rrëzimin e tij dhe arratinë drejt Rusisë./REL



Read it all at Bota Sot