Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, dhe me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Pekin nga data 2 deri më 4 shtator, bëri të ditur Presidenca e Serbisë.
Në njoftim thuhet se Vuçiq do të bisedojë edhe me zyrtarë të tjerë të lartë kinezë dhe përfaqësues të kompanive të mëdha.
Sipas njoftimit, ai viziton Kinën me ftesë të presidentit Xi Jinping dhe do të marrë pjesë edhe në ngjarjet përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Më 3 shtator, Kina do të mbajë një paradë ushtarake, për të shënuar dorëzimin zyrtar të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Autoritetet kineze konfirmuan pjesëmarrjen edhe të udhëheqësve të Koresë së Veriut, Bjellorusisë, Iranit, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit dhe Malajzisë në mesin e të tjerëve.
Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq dhe Putin do të diskutojnë për bashkëpunimin ruso-serb, përfshirë sektorin e energjisë.
Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, tha se është planifikuar një "shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore të bashkëpunimit ruso-serb".
Më 25 gusht, Vuçiq tha se ai dhe ambasadori kinez në Beograd, Li Ming, diskutuan për agjendën e takimit me presidentin kinez, Xi Jinping.
Takimi i dytë këtë vit
Vuçiq u takua me Putinin edhe në fillim të majit, kur mori pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë.
Ky ishte takimi i tyre i parë prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarisht, Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit.
Këtë qëndrim, Beogradi e arsyeton me mbështetjen politike që i jep Moska Serbisë për çështjen e Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.
Pavarësisht kritikave dhe paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian, Beogradi ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin - qoftë në mbrojtje, ekonomi apo politikë.
Brukseli ka përsëritur disa herë se Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, duhet ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së./REL