Shala: Kishte rrezik potencial që ta humbim Leon Avdullahun

- Bota Sot

Shala: Kishte rrezik potencial që ta humbim Leon Avdullahun

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka pranuar se ekzistonte rreziku që talenti Leon Avdullahu të zgjidhte Zvicrën në vend të Kosovës, duke theksuar se bisedimet për angazhimin e tij kanë qenë të gjata dhe të ndjeshme.

Gjatë konferencës për media të Përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, Shala u pyet nga KosovaPress në lidhje me ecurinë e negociatave për ardhjen e mesfushori Leon Avdullahu.

“Angazhimi i secilit futbollist që ka luajtur ose potencialisht do të luajë për një kombëtare tjetër dhe që vie te Kombëtarja e Kosovës kërkon shumë kohë edhe shumë biseda. Nuk është ideja vetëm për t’i bindur por është ideja edhe për t’iu treguar atyre projekt sportiv por normalisht që ndjeshmëria e secilit prej tyre dhe mënyra se si e ndjejnë fanellën e Kosovës dhe dëshira për ta përfaqësuar Kosovën luan rol vendimtar në vendimin e secilit. Në këtë rast ka qenë e njëjta edhe për Leonin ndonëse bisedimet për ardhjen e tij te Kosova mund të them se ka vite që kanë nisur, që prej debutimit të tij me Baselin. Potencialisht ai është një futbollist i nivelit shumë të lartë dhe normalisht që angazhimi që e ka treguar Federata e Zvicrës dëshmon cilësitë e tij dhe mundësitë e tij që për të luajtur edhe për Kombëtaren e Zvicrës kështu që normalisht se ka pasur potencial që të shkojë edhe te Kombëtarja e Zvicrës.”, tha Shala.

Kosova i zhvillon dy ndeshjet e para kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 ku së pari ballafaqohet me Zvicrën në udhëtim më 5 shtator dhe pastaj me Suedinë në Prishtinë më 8 shtator.



Read it all at Bota Sot