Vazhdojnë protestat në Serbi, paralajmërohet fazë e re mobilizimi

- Bota Sot

Vazhdojnë protestat në Serbi, paralajmërohet fazë e re mobilizimi

Në Serbi, në shumë qytete vazhdojnë edhe më tej protestat antiqeveritare, që si shkak tash e dhjetë muaj kanë tragjedinë e Novi Sadit. Ekspertë të politikës vënë në pah se, meqë pushteti nuk po u përgjigjet kërkesave të studentëve, pritet që kjo vjeshtë të sjellë një fazë të re të mobilizimit shoqëror.

Edhe pas dhjetë muajve të tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, protestat dhe tubimet vazhdojnë të mbahen nëpër shumë qytete të Serbisë.

Tragjedia nxiti një valë protestash antiqeveritare me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.

Deri tani aktakuzë nuk ka, ndërsa pushteti u përgjigj me dhunë dhe represion në rritje ndaj demonstruesve.

Ekspertët paralajmërojnë për hyrjen e vendit në një fazë të re të dhunës institucionale.

“Përgjigjja e pushtetit ndaj kërkesave është dhuna, ose do t’ju rrahim, ose do t’ju ndëshkojmë duke ju mbajtur në paraburgim. Ky është thelbi i këtij pushteti, i cili mbahet vetëm me forcë. Vuçiq nuk ka më shumicë e as legjitimitet, ndaj i kanë mbetur vetëm propaganda dhe policia. Por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht”, tha Alleksandër Ollenik, politikan dhe jurist.

Në sfondin e protestave pothuajse të përditshme dhe përplasjeve me policinë, pushteti ka paralajmëruar një “përgjigje më vendimtare”, duke hapur dilema për një fazë të re represioni.

Ekspertët vlerësojnë se lëvizja e nisur pas tragjedisë në Novi Sad është shndërruar në betejë për demokraci dhe sundimin e ligjit, me mbështetje gjithnjë në rritje për studentët.

 “Është rrëzuar opinion se Vuçiq është i pamposhtur. Tani është e qartë për të gjithë se ai nuk ka më legjitimitet. Ai është zbuluar plotësisht, nuk ka shumicë dhe sundon vetëm me shkop policer”, thotë Ollenik.

Tragjedia në Novi Sad, ishte vetëm një shkak për shpërthim të protestave antiqeveritare, të cilat vazhdojnë nëpër shumë vende të Serbisë. Meqë pushteti nuk po i përgjigjet kërkesave të studentëve, pritet që kjo vjeshtë të sjellë një fazë të re të mobilizimit shoqëror./REL



Read it all at Bota Sot