Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, ka folur pas stërvitjes së sotëm të Dardanëve në prag të sfidave të shtatorit.
Kosova më 5 shtator në Bazel do të përballet me Zvicrën, kurse, tri ditë më vonë në ‘Fadil Vokrri’ do të ballafaqohet me Suedinë, ndeshje këto që do të luhen në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Korencia thotë se po punohet maksimalisht në taborin e Dardanëve. Sipas tij, të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe të motivuar për duelet e shtatorit, veçmas sipas tij, për përballjen me Zvicrën.
“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen. Stërvitja ka shkuar shumë mirë.
Të gjithë djemtë janë të motivuar për ndeshjen e parë. Shpresoj së do të bëjmë më të mirën dhe të japim maksimumin pasi që dihet se është lojë e vështirë, por gjithçka po shkon shumë mirë dhe shpresoj se do të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Korenica.
“Janë dy shtete shumë të forta, skuadra të vështira, por presim rezultate pozitive pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve janë të motivuar dhe mezi presim ndeshjen”, ka pohuar Korenica.