Stadiumi do të ketë më shumë se 6,500 ulëse! Kryeministri Kurti: Punimet duhet të përfundojnë brenda 750 ditëve

- Bota Sot

Stadiumi do të ketë më shumë se 6,500 ulëse! Kryeministri Kurti: Punimet duhet të përfundojnë brenda 750 ditëve

Sot në Suharekë u mbajt ceremonia solemne e vënies së gurthemelit për stadiumin e ri futbollistik, një investim i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës në këtë qytet.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë ceremonisë tha se ky stadium do të jetë i kategorisë “Dy Plus” sipas standardeve të UEFA-së dhe do të ketë kapacitet më shumë se 6,500 ulëse.

Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për Suharekën, por për gjithë futbollin kosovar.

“Jemi bashkë sot për të vënë gurthemelin e një stadiumi modern. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe për futbollin në Kosovë. Punimet duhet të përfundojnë brenda 750 ditëve dhe ne jemi të përkushtuar që të realizojmë projektin ashtu siç është paraparë në projekt të duket edhe në realitet”, tha Kurti.

Ai gjithashtu falënderoi klubin futbollistik Ballkani, i cili me arritjet e tij ndërkombëtare ka ngritur emrin e Suharekës dhe të Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare.

“Ballkani ka qenë frymëzim për të rinjtë që të angazhohen në sport dhe për këtë arsye investimi në infrastrukturën e klubit është i domosdoshëm. Me këtë stadium, që ka një vlerë investimi prej rreth 11 milionë euro, po realizojmë një pjesë të rëndësishme të përkushtimit shtetëror ndaj sportit,” shtoi ai.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrullah Çeku theksoi se ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë investimesh në sportin e Kosovës, të cilat po realizohen në bashkëpunim me qeverinë

“Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës për të përmirësuar infrastrukturën sportive. Disa stadiume janë në faza përfundimtare, disa në ndërtim, ndërsa të tjera sapo kanë nisur. Jam i lumtur që në Suharekë po fillojmë një investim të rëndësishëm që përfshin edhe një fushë ndihmëse, e cila është në përfundim e sipër,” tha ministri.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremi, vlerësoi rëndësinë e këtij investimi duke theksuar se është investimi më i madh në infrastrukturën sportive që po realizohet në komunën e tij. “Në emër të qytetarëve të Suharekës, falënderoj Qeverinë e Kosovës”, tha ai.



Read it all at Bota Sot