Vuçiq gjatë takimit me Putinin: Bizneset ruse janë të mirëseardhura në Serbi

- Bota Sot

Vuçiq gjatë takimit me Putinin: Bizneset ruse janë të mirëseardhura në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot në Pekin me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe tha se që nga fillimi i krizës në Ukrainë, Serbia është gjendur në një “situatë të vështirë për t’u përballur me presionet”, por se ka arritur të ruajë një qëndrim parimor në lidhje me Rusinë.

Putini tha se do të përpiqen të përmirësojnë së bashku bashkëpunimin ekonomik mes Rusisë dhe Serbisë.

“Shpresojmë që deri në fund të këtij viti të mbahet një mbledhje e unionit ekonomik në Beograd dhe të kemi mundësinë të flasim më në detaje për bashkëpunimin ekonomik në përputhje me drejtimin që ka Republika e Serbisë. Më vjen mirë që sot mund të flasim edhe për çështje rajonale dhe që mund të takohemi personalisht”, tha Putin.

Vuçiq e falënderoi Putinin në gjuhën ruse për mikpritjen e ngrohtë gjatë vizitës në Moskë më 9 maj. “Për Serbinë, bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Rusinë është shumë i rëndësishëm në të gjitha fushat, dhe shpresoj se do të kemi mundësinë të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është një fushë shumë e rëndësishme, sidomos furnizimi me gaz”, tha Vuçiq në rusisht.

Ai shtoi se të gjitha kompanitë ruse janë të mirëseardhura në Serbi, veçanërisht ato që “duan të marrin pjesë në projekte infrastrukturore, përfshirë RZHD, Rosatom dhe shumë të tjera. Serbia ndodhet në një situatë të vështirë. Dua t’ju informoj se që nga fillimi i krizës në Ukrainë, Serbia është në një pozitë të vështirë për shkak të presioneve, por megjithatë kemi arritur të ruajmë qëndrimin tonë parimor në raport me Federatën Ruse dhe do të vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë e Serbisë. Po ashtu, do të përpiqemi të mbetemi i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse”.

Presidenti serb tha se dëshiron t’i dëgjojë me kujdes këshillat e Putinit për “përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Rusisë në të ardhmen. Jam i sigurt se mund të përmirësojmë dhe forcojmë marrëdhëniet tona në nivelin më të lartë. Ju falënderoj për mikpritjen e ngrohtë dhe jam i bindur se mund t’i forcojmë vërtet marrëdhëniet tona. Faleminderit edhe një herë”.

Gjatë takimit, sipas njoftimeve, u diskutuan një sërë temash – nga energjetika, marrëveshjet për gazin dhe naftën, tek infrastruktura dhe marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe Rusisë.

Vuçiq ka nisur sot një vizitë disa ditore në Kinë, ku me ftesë të presidentit kinez, Xi Jinping do të marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore. Nesër, Vuçiq do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake me rastin e Ditës së Fitores, ku janë ftuar liderët e 26 vendeve.



Read it all at Bota Sot