Republika Sërpska zgjedh një qeveri jokushtetuese

- Bota Sot

Republika Sërpska zgjedh një qeveri jokushtetuese

Entiteti i Republikës Sërpska ka zgjedhur një qeveri jokushtetuese. Në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, të mbajtur në Banjallukë, u zgjodh ekzekutivi i ri me kryeministër, Savon Miniqin.

Miniq, deri tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, vjen nga radhët e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut.

Qeveria e re nuk ka bazë kushtetuese, pasi mandatin për Miniqin më 23 gusht ia dha Millorad Dodik, i cili pesë ditë më parë, me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia mori mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.

Sipas Kushtetutës së entitetit serb të Bosnjës, presidenti i këtij entiteti propozon për Kuvendin Popullor kandidatin për kryeministër.

Pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës, RS-ja mbetet pa president, sepse as ligjet dhe as Kushtetuta e shtetit dhe e entitetit nuk parashikojnë se kush merr këtë funksion në rast të boshllëkut.

RS-ja ka dy zëvendëspresidentë, por ata mund të marrin vetëm përkohësisht kompetencat nëse një gjë e tillë urdhërohet nga presidenti. Një rast i tillë kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar, kur për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjike që iu nënshtrua Dodiku, detyrat e presidentit i mori Davor Pranjiq.

Presidenti i ri pritet të zgjidhet në zgjedhjet e parakohshme, të shpallura për më 23 nëntor.

Dodik në paraqitjet publike refuzon vendimet e institucioneve kompetente në Bosnjës dhe pretendon se është ende president.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se partia e tij do të bojkotojë dhe pengojë zgjedhjet e paralajmëruara.

KQZ-ja ia hoqi mandatin Dodikut pasi Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, në fillim të gushtit, e dënoi me një vit burgim - dënim të cilin e zëvendësoi me pagesë monetare - dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.

Pas kësaj, KQZ-ja shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për president të RS-së.

Më 22 gusht, Kuvendi i RS-së pranoi dorëheqjen e kryeministrit të entitetit, Radovan Vishkoviq, dhe që atëherë ekzekutivi ka qenë me "mandat teknik".

Në përfundimet e një seance, kur u pranua dorëheqja e Vishkoviqit, Kuvendi i RS-së e ftoi Dodikun të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit, hodhi poshtë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe u kërkoi institucioneve të entitetit të mos bashkëpunojnë me KQZ-në.

Opozita paralajmëroi se me këtë veprim po hyhet në zonën e veprave penale dhe të shkeljes së rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

Kuvendi po ashtu shpalli referendum për 25 tetor, në të cilin qytetarët pritet të vendosin nëse do të pranojnë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, të Gjykatës dhe të KQZ-së, me të cilat u penalizua Dodik.

Millorad Dodik u dënua dhe u shkarkua nga posti në fillim të gushtit, pasi u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.

Përmes kompetencave të tij, Schmidt kishte shfuqizuar ligjet jokushtetuese të miratuara nga Republika Sërpska me të cilat synohej të kontestoheshin aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, vendim ndaj të cilit Dodik kishte paraqitur apel.

Gjatë paraqitjes së programit në Kuvend, Miniq i quajti joligjore vendimet e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, por edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai konfirmoi synimin e Republikës Sërpska që gjatë mandatit të tij qytetarët e këtij entiteti, përmes një referendumi, të shprehen nëse janë “për imponime apo për mbrojtjen e institucioneve të RS-së”.

Programin e tij, siç njoftoi, Miniq do ta mbështesë në forcimin ekonomik të Republikës Sërpska përmes riorganizimit të institucioneve, të ndërmarrjeve publike dhe administratës shtetërore.

Ai gjithashtu paralajmëroi miratimin e masave për zbatimin e ligjeve që lidhen me kompetencat e parashikuara në Marrëveshjen e Dejtonit, si dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Serbisë në përputhje me përfundimet e Kuvendit Mbarëserb.

Miniq paralajmëroi, po ashtu, rikthimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ruajtjen e atyre me Rusinë, Hungarinë, Kinën dhe Bjellorusinë – si një nga objektivat e politikës së jashtme që do të realizohet me mbështetjen e anëtarit të Presidencës së Bosnjës nga komuniteti serb.

Në fund të fjalës së tij, ai propozoi edhe anëtarët e Qeverisë. Mes tyre janë kryesisht ata që kanë qenë pjesë e kabinetit edhe në përbërjen e kaluar, me disa rotacione./REL



Read it all at Bota Sot