Viti i ri shkollor nuk ka filluar ende në shkollën e mesme në fshatin Gjonaj të Prizrenit, ndonëse jemi në ditën e dytë të planifikuar për mësim. Sipas burimeve të portalit Gazeta e Prizrenit, mësimi nuk është duke u mbajtur për shkak të mungesës së hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e orëve.
Problemi ka lindur si pasojë e një riorganizimi të bërë nga shkolla fillore, me të cilën shkolla e mesme ndan të njëjtin objekt. Me rishpërndarjen e klasave, shkolla e mesme ka humbur disa prej hapësirave që i ishin ndarë më parë, duke pamundësuar vijimin normal të procesit mësimor.
Sipas informacioneve, në nëntor të vitit 2023, kur ishte vënë në funksion objekti i ri i shkollës në lagjen Brejzë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren kishte marrë vendim që shkolla e mesme të mbante mësim në objektin e madh në Kodrën e Pajtimit, për shkak të hapësirës së mjaftueshme.
Megjithatë, duket se vendimi nuk është zbatuar plotësisht ose është ndryshuar më vonë, gjë që ka sjellë konfuzion dhe mungesë organizimi në fillimin e këtij viti shkollor.
Nga burimet e portalit njoftohet se sot në këtë shkollë kanë qëndruar edhe disa prej drejtorëve të shkollave të mesme të komunës, por ende nuk dihet nëse është gjetur një zgjidhje dhe nëse mësimi do të fillojë nesër. / Gazeta e Prizrenit /